Kandidati i PDK-së për kryetar të Podujevës jep dorëheqje nga pozitat në parti

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kryetar të Komunë së Podujevës, Naim Fetahu, ka dhënë dorëheqje nga të gjitha pozitat që ka mbajtur në këtë parti.

Përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, Fetahu ka përmendur të gjithë angazhimin e tij duke thënë se tani është koha që ti përkushtohet familjes së tij.

“Sot kam vendosur për arsye personale te jap dorëheqje nga pozita drejtuese në Degën e Partisë Demokratike në Podujevë. Kam vendosur që për një periudhë ti kthehem familjes. Kjo nuk do të thotë se unë heqë dorë nga politika. Deri në frymëmarrjen e fundit unë do të jem në shërbimin tuaj, sepse u jam borxhli për përkrahjen që ma keni dhënë ndër vite”, ka shkruar Fetahu në facebook.

Fatahu ka falënderuar të gjithë̈ ata që i kanë ndihmuar në rrugëtimin e tij politik për 30 vite me radhë̈.

“Me besimin tuaj dhe përkushtimin tim, që nga paslufta kam shërbyer në pozita të ndryshme, duke filluar nga themelues e kryetar i parë i degës së PDK-së në Podujevë, deputet, zëvendësministër (në tri mandate), drejtor i ATK-së, e disa pozita tjera menaxheriale. Të gjitha këto përgjegjësi shtetërore e institucionale i kam falë përkrahjes suaj. Besimi që ju më dhatë më bëri çdo herë e më energjik, të jem më obligues ndaj jush, ndërsa vlerësimin se sa ia kam arritur të jem afër jush do ta bëni më së miri ju dhe koha”, ka theksuar ai.

Tutje kandidati i PDK-së për kryetar në Podujevë ka thënë̈ që qëllimi i tij për këtë komunë ka qenë që të bëjë ndryshimin.

“Në zgjedhjet e fundit hyra në garë për kryetar të komunës me qëllimin e vetëm që ta bëjmë ndryshimin në Podujevë, me dëshirën që Llapit e Gollakut t’i kthejmë dinjitetin. Por qytetarët i dhanë dikujt tjetër ketë besim, dhe si të tillë të gjithë pa dallim duhet ta respektojmë”, ka theksuar Fetahu.

Më 29 nëntor janë mbajtur zgjedhjet në Komunën e Podujevës, kandidati i PDK-së Naim Fetahu u rendit të treti me 4,341 vota, Nexhmi Rudari nga LDK mori 12,627, ndërsa kandidati i LVV-së Shpejtim Bulliqi mori 18,286 vota duke fituar kështu edhe pozitën e të parit të kësaj komune.