Kandidati i pavarur për president, Robert F. Kennedy, shpreh mbështetjen për kandidatin Trump
Kandidati republikan për president, Donald Trump, mund të fitojë përkrahjen e një grupi votuesish të një kandidati tjetër që garon për Shtëpinë e Bardhë. Siç njofton Zëri i Amerikës, kandidati i pavarur Robert F. Kennedy Jr. njoftoi të premten mbështetjen e tij për ish Presidentin Donald Trump gjatë një tubimi në qytetin Glendale ku të dy bënë fushatë së bashku.
Kandidati i pavarur për Shtëpinë e Bardhë, Robert F. Kennedy Jr. ka njoftuar mbështetjen për ish Presidentin Donald Trump.
Zoti Kennedy u shfaq në një tubim në Arizona pranë kandidatit Trump.
“A doni një president që do ta mbajë vendin larg luftërave dhe që do të rindërtojë klasën e mesme?”, tha në tubim zoti Kennedy.
Ata ndanë me publikun rastet tragjike që kanë përjetuar. Në muajin korrik zoti Trump u plagos gjatë një tentative për ta vrarë atë. Babai dhe xhaxhai i zotit Kennedy, Prokurori i Përgjithshëm Robert F. Kennedy dhe Presidenti demokrat John F. Kennedy, që të dy u vranë. Zoti Trump bëri një premtim.
“Pasi të zgjidhem, do të krijoj një komision të ri të pavarur për të hetuar tentativat për vrasje, i ngarkuar me publikimin e të gjitha dokumenteve të mbetura në lidhje me vrasjen e Presidentit Kennedy”, tha zoti Trump.
Kur Robert F. Kennedy shpalli kandidaturën si i pavarur, anëtarët e familjes dolën në fushatë kundër tij duke mbështetur dyshen demokrate për Shtëpinë e Bardhë.
“Rizgjidhni Biden dhe Harris”, u shpreh në atë kohë motra e zotit Kennedy, Kerry.
Kandidati Kennedy është një figurë e debatueshme që ka vënë në dyshim vaksinat, dhe ka mbështetur teoritë e konspiracionit për sulmin e 11 shtatorit kundër Shteteve të Bashkuara.
Babai i zonjës Mary Jo O’Rurke ka punuar për Presidentin John Kennedy në vitet 1960.
“Jam mbështetëse e vendosur e Kennedit. Mendoj se është koha që kandidati Kennedy të tërhiqet nga gara dhe të shijojë pjesën tjetër të jetës së tij”, tha mbështetësja e zonjës Harris.
Partia Demokrate pretendon përmes një deklarate se sondazhet tregojnë se “një pjesë e vogël e votuesve që mbështesin zotin Kennedy po ndahen mes Nënpresidentes Harris dhe republikanit Trump”.
Disa analistë thonë se mbështetësit e zotit Kennedy mund të mos votojnë fare. Të tjerët parashikojnë një mbështetje afatshkurtër për zotin Trump.
“E ndihmon paksa Donald Trumpin. Në përgjithësi do të jetë një garë e ngushtë mes dy kandidatëve, dy partive. Vota e të pavarurve do të ketë rëndësi vetëm në shtetet fushëbetejë”, thotë John Fortier nga Instituti American Enterprise.
Mbështetësit e zotit Trump e mirëpresin vendimin e zotit Kennedy.
“Ata po tregojnë se partia e xhaxhait dhe babait të tij, e familjes Kennedy, nuk është më e njëjta parti”, thotë Karen Preul, mbështetëse e kandidatit Trump.
“Shohim dy amerikanë që qëndrojnë së bashku dhe në të vërtetë duan atë që është më e mira për ne”, thotë Nathaniel Parson një mbështetës republikan.
Në të kaluarën, të dy ata e kanë kritikuar ashpër njëri-tjetrin. Por siç është vënë re gjatë këtij viti zgjedhor, armiqtë e dikurshëm ndryshojnë qëndrimin kur largohen nga gara./VOA