Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kandidati i Nismës për Vushtrrinë premton dyfishim të bursave për studentë

Kandidati për kryetar të komunës së Vushtrrisë nga Nisma Socialdemokrate, Albert Maxhuni në Debat Pernime ka thënë se nëse arrin ta marrë qeverisjen e këtij qyteti, do ta dyfishojë numrin e bursave dhe buxhetin për rininë.

“Në programin tim qeverisës një rol të veçantë do të ketë rinia. Fillimisht Qendra e Kulturës do të hapet. Buxheti për rini do të dyfishohet e po ashtu do ta dyfishojmë numrin e bursave për studentët e dalluar. Do të kenë rëndësi të veçantë personat me nevoja të veçanta e po ashtu do të shtohen aktivitetet sportive”, ka thënë Maxhuni.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Vushtrrisë diskutojnë në #DebatPernime për planet e tyre pas zgjedhjeve të 17 tetorit.

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët për kryetar të komunës së Vushtrrisë: Albert Maxhuni nga Nisma Socialdemokrate; Arsim Rexhepi nga LVV; Ergin Sunguri nga KDTP; Ferit Idrizi nga PDK; Jeton Salihu – kandidat i pavarur; Mensut Ademi nga AAK dhe Xhafer Tahiri nga LDK. 

Përballë kandidatëve për kryetar të komunës do të jenë edhe kandidatet për asambliste në Kuvendin Komunal të Vushtrrisë: Ardita Hasani dhe Shqiponjë Mikushnica nga Nisma Socialdemokrate; Amire Ajeti dhe Florina Sadiku nga AAK; Bahrie Ademaj dhe Gresa Muli nga LVV; Gonxhe Halili dhe Kaltrina Haziri LDK; Melihate Basholli Latifi dhe Nurije Halili nga PDK.

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.