
Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Kandidati i LVV-së premton nga një park në çdo fshat të Vitisë
Kandidati për kryetar të Komunës së Vitisë, Arsim Ademi nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje ka premtuar nga një park për çdo fshat të komunës.
“Synimi është që në çdo fshat me pasë nga një park të ri”, tha Ademi në #DebatPernime. Ai ka shtuar se do të ndërtojë rreth 20-30 kilometra shtigje të biçikletave.
Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Vitisë diskutojnë në #DebatPernime për planet e tyre pas zgjedhjeve të 17 tetorit.
Të ftuar në #DebatPernime janë kandidatët për kryetar të komunës së Vitisë: Arsim Ademi nga LVV; Bekim Azizi nga PDK dhe Sokol Haliti nga LDK.
Përballë kandidatëve për kryetar të komunës do të jenë edhe kandidatet për asambliste në Kuvendin Komunal të Vitisë: Majlinda Ostrogllava nga LDK; Majlinda Shabani nga LVV dhe Zyrafete Rama nga PDK.