Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kandidati i LVV-së për Vushtrrinë: Kamerat në qytet janë të ndaluara, shkelin privatësinë e qytetarëve (VIDEO)

Kandidati nga Lëvizja Vetëvendosje, për kryetar të Vushtrrisë, Arsim Rexhepi i ftuar në Debat Pernime ka thënë se nuk është e lejueshme vendosja e kamerave të sigurisë në qytet për shkak të së drejtës për privatësi të qytetarëve.

“Nuk funksionojnë kamerat në qytet dhe është e ndaluar filmimi i njerëzve në qytet për shkak të të dhënave private. Është diskutabile se sa guxon një komunë të vendos kamera. Nuk lejohet në asnjë mënyrë sepse është cenim i të drejtave të qytetarëve. Nuk bën”, ka thënë Rexhepi.

Po ashtu Rexhepi ka thënë se do të shtojnë numrin e psikologëve dhe organizatave rinore që do të merren me njerëzit që janë kthyer nga lufta.

Sipas tij, edhe udhëkryqi në fshatin Begaj do të shndërrohet në një aveny 3 kilometërshe.

“Sigurinë publike me ata që janë kthyer nga lufta do ta kanalizojmë në drejtim të angazhimit të sa më shumë psikologëve dhe organizatave rinore në mënyrë që të involvohen fëmijët në kulturën dhe përditshmërinë në Kosovë, Sa i përket ndërtimeve është një gjendje e mjerë, punëtorët punojnë pa mbrojtje në punë. Sa i përket sigurisë në komunikacion, këtë rrugën problematike ne do ta shndërrojmë në një aveny të madhe 3 kilometërshe me gjelbërim. Është rruga ku ndodhin shumë aksidente”, ka thënë Rexhepi.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Vushtrrisë diskutojnë në #DebatPernime për planet e tyre pas zgjedhjeve të 17 tetorit.

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët për kryetar të komunës së Vushtrrisë: Albert Maxhuni nga Nisma Socialdemokrate; Arsim Rexhepi nga LVV; Ergin Sunguri nga KDTP; Ferit Idrizi nga PDK; Jeton Salihu – kandidat i pavarur; Mensut Ademi nga AAK dhe Xhafer Tahiri nga LDK. 

Përballë kandidatëve për kryetar të komunës do të jenë edhe kandidatet për asambliste në Kuvendin Komunal të Vushtrrisë: Ardita Hasani dhe Shqiponjë Mikushnica nga Nisma Socialdemokrate; Amire Ajeti dhe Florina Sadiku nga AAK; Bahrie Ademaj dhe Gresa Muli nga LVV; Gonxhe Halili dhe Kaltrina Haziri LDK; Melihate Basholli Latifi dhe Nurije Halili nga PDK.

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.