Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kandidati i LVV-së për Fushë Kosovë premton ndërtimin e një rrethi të ri në këtë qytet

Kandidati për kryetar të Komunës së Fushë Kosovës, Enver Bajçinca nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka premtuar ndërtimin e rrethrrotullimit në qytet, tek qendrat tregtare.

“Rrethrrotulimi është i planifikuar dhe do të bëhet te qendrat tregtare aty, në hyrje në kufi me zonën e Prishtinës, në mënyrë që të lirojë lagjen Dradania prej automjeteve sepse është mjaft e ngarkuar, ka vetëm një dalje tek shkolla “Mihail Grameno” dhe përveç se bëhet radhë e gjatë automjeteve, aty pengohet komunikacioni edhe përgjatë rrugës ‘Dardania’ sepse janë automjetet që presin për të dalë”, tha ai.

Bajçinca dha edhe afat kohor se kur mund të ndërtohet rrethrrotullimi.

“Në projektin e ministrisë [Ministrisë së Infrastrukturës] është që për 3 muaj të kryhet”, theksoi ai.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Fushë Kosovës, diskutojnë në #DebatPernime për balotazhin e 14 nëntorit.

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët që kanë shkuar në balotazh në Fushë Kosovë: Burim Berisha nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Enver Bajçinca nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV).

Sipas rezultateve përfundimtare të KQZ-së për rundin e parë të zgjedhjeve që janë mbajtur më 17 tetor, kandidati i LDK-së, Burim Berisha ka siguruar 49,72% të votave, kurse Enver Bajçinca nga LVV ka marrë 25,58%.