Kandidati i LDK-së pro ndërtimit të Autostradës së Dukagjinit

Brahim Selimaj, kandidat për deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, është shprehur se është pro ndërtimit të autostradës së Dukagjinit.

Në një intervistë për KALLXO.com, Selimaj thotë se “autostrada duhet të ndërtohet por jo me mjete tona edhe pse është e domosdoshme, jemi për (ndërtimit)”.

Kauzën që Selimaj do ta shtyjë përpara nëse merr mandatin e deputetit do të jetë zhvillimi ekonomik ndërsa shton se nuk mendon të marrë ndonjë post ministror por do të mbetet deputet.

Ai tregon edhe se cilat taksa duhet rritur dhe cilat duhet zvogëluar në Kosovë.

“Duhet ulur të gjitha taksat që janë për zhvillim për prodhimtari në Kosovë”, thotë ai.

Tutje Selimaj tha edhe se cilat do të jenë tri amendamentet e para që do t’i propozojë nëse fiton mandatin e deputetit.

Ai shton se ka qenë themelues i LDK-së dhe deri më tani nuk ka ndërruar vizionin e partisë dhe Ibrahim Rugovës.

Tutje ai shton se nuk do të votojë kundër qëndrimit të grupit parlamentar të tij.

Selimaj tregon se kush nuk do ta ketë përkrahjen e tij si deputet. “Mendoj ata që kanë qenë kundër Kosovës, zhvillimit ekonomik dhe ata që kanë participuar në krimin ekonomik të ngecjes më të madhe në Kosovë”, tha ai.

Behar Selimaj tregon edhe se çfarë duhet të ndërmerret për përmirësimin e ajrit dhe ambientit të ndotur në Kosovë.

“Janë probleme shumë të mëdha për të cilat në radhë të parë duhet të kemi investime të jashtme, të eliminohen kapacitetet prodhuese të vjetruara që janë në Kosovën A por nevojitet një qasje krejt tjetër e ngadalshme dhe me investime direkte”, tha ai.

Në pyetjet specifike, ai dha qëndrimin e tij.

Selimaj thotë se është për ndërtimin e termocentralit të tretë me qymyr ndërsa është kundër djegies së qymyrit nëpër shtëpi gjatë dimrit.

Ai tutje shton se është kundër përdorimit të qeseve të plastikës si dhe kundër shitjes së Telekomit të Kosovës.

Selimaj thotë se është kundër shkëmbimit të territoreve me Serbinë.

Tutje Selimaj thotë se gjëja me e shëmtuar do të ishte ndërtimi i hidrocentraleve në lumenjtë e Kosovës.

Ai nuk ka koment kur pyetet për mbylljen e universiteteve publike nëpër komuna nëse nuk u akreditohen programet nga Agjencia e Akreditimit.

Kundër është shprehur Selimaj se është edhe ndaj monopolit në homologim ndërsa shton se është pro martesave në mes të gjinisë së njëjtë por njëjtë nuk mendon edhe për bartjen e shamive në shkolla.

Ai shton se është për kuotë të deputetëve nga diaspora dhe heqjes së Kartonit të Gjelbër për diasporën.

Ai tregon edhe se kush po i financon fushatën.

“Vetë kam kapitalin tim, askush s’ka nevojë të ma financojë fushatën”, tha ai.

Tutje Selimaj tregon se është edhe pronar i një kompanie, ku u pyet për numrin e pozitave të punësoj që do t’i mbaj nëse merr votat e  qytetarëve për t’i përfaqësuar ata në Kuvend.

Të hyrat e Selimajt siç tregon ai janë 5 milionëshe për të cilat thotë se i ka standarde.

“5 milionëshe të hyrat i kam standarde por jo nga ajo që çdo kush ka bazën”, tha ai.

Kur pyetet për pasurinë e përbashkët me bashkëshorten, duke qeshur Selimaj thotë se të gjithë pasurinë do t’ia bart bashkëshortes së tij.

“Po bile do t’ia bart të gjithën asaj”, shton ai.

Tutje, Selimaj tregon se nëse ka pasur nevojë për tretmanë mjekësore ka vizituar spitalet private deri sa tregon tutje se duhet të krijohen kushtet që të vizitohen ato publike.

Ai shton edhe se fëmijët e tij janë edhe në shkolla publike edhe private.

Synimi i Selimajt siç tregon nuk është të punësojë familjarët por gjeneratën e re.

“Asnjë të papunë s’e kam, do të punësoj gjeneratën e re”, tha ai.

Ai tregon edhe se si do të votojë për fatin e Trepçës. “ Vetëm ata që nuk e dinë ekonominë e tregut se nuk mbetet në qeverisje të askujt, duhet të jetë partneritet publiko- privat”, tha ai.

Zhvillimi ekonomik dhe projektet për to do të mund të jenë projektet që Selimaj mund të kushtëzojë votën e tij për buxhet.

Tutje ai tregon edhe se cili do të jetë projekti që do të lë gjurmë si deputet. “Pikërisht që sektori privat të ngritët dhe të ketë prodhimtari në Kosovë”, shton ai.

Selimaj thotë se do t’i parashtroj 200 pyetje parlamentare brenda mandatit të plotë ndërsa do të ketë 30 takime në vit me qytetarë.

Sipas Selimajt të gjitha veturat që janë para vitit 1990 nuk duhet të lejohen të importohen në Kosovë deri sa shton se dëgjimet publike do të inicioj në bazë të nevojave që kërkon komisioni.

Selimaj premton se do të japë dorëheqje nëse ndaj tij ngritët aktakuzë si dhe do të votojë rrëzimin e qeverisë nëse kryeministri ka aktakuzë.

Ai thotë se nuk do të votojë një qeveri që ka mbi 15 ministri si dhe për një ministri Selimaj thotë se duhet të jenë vetëm dy zëvendësministra.

Selimaj thotë se do të votojë vetëm njerëz profesional për anëtarësim në borde të ndërmarrjeve publike dhe shoqërore.

Ai shton edhe se do të bëjë transparente fondet e partisë si dhe faturat e shpenzimeve të kuvendit apo ministrisë.