Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kandidati i LDK-së premton transport pa pagesë për nxënësit e Kaçanikut nga 1 janari 2022

Kandidati nga Lidhja Demokratike e Kosovës, për kryetar të Kaçanikut, Shkëlqim Jakupi ka premtuar se nëse fiton zgjedhjet, nga 1 janari i vitit 2022, transporti për nxënësit do të jetë pa pagesë.

“Ky është vendim i LDK-së, i Shkëlqim Jakupit, nga 1 janari i vitit 2022 të gjithë nxënësit e të gjitha fshatrave në komunën e Kaçanikut do të udhëtojnë për në shkollë falas”, tha ai.

Ai shtoi se kanë prioritet rregullimin e disa rrugëve në këtë komunë, duke theksuar se do të mundohen se të gjitha rrugët që janë të nevojshme për zhvillim, do t’i rregullojnë gjatë mandatit.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Kaçanikut diskutojnë në #DebatPernime për planet e tyre pas zgjedhjeve të 17 tetorit.

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët për kryetar të komunës së Kaçanikut: Besim Ilazi nga PDK; Jeton Raka nga LVV; Kastriot Bushi – kandidat i pavarur; Shkëlqim Jakupi nga LDK dhe Shukri Luta kandidat i pavarur.

Përballë kandidatëve për kryetar të komunës do të jenë edhe kandidatet për asambliste në Kuvendin Komunal të Kaçanikut: Ardita Rrahmani nga LDK; Florina Lika Vishi dhe Lirije Luta nga PDK; Arta Sopa dhe Resmije Loki nga LVV; Rabije Sallahi dhe Valentina Murseli nga AAK.

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.