Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kandidati i LDK-së premton ndërtimin e kolektorëve për ujërat e zeza në Istog

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Istogut, Ilir Ferati në Debat Pernime ka thënë se brenda 4 vitesh të mandatit do të ndërtojë kolektorë për trajtimin e ujërave të zeza.

“Ndërtimi i kolektorëve kryesor për trajtimin e ujërave të zeza është projekt që e kalon vlerën 6 milionë euro që planifikojmë ta realizojmë. Është projekt ambicioz, unë besoj që me përkushtimin, vullnetin, dijen dhe përvojën që kemi, mendoj që do ta kryejmë brenda mandatit 4-vjeçar”, tha ai.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Istogut diskutojnë në #DebatPernime për planet e tyre pas zgjedhjeve të 17 tetorit.

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët për kryetar të komunës së Istogut, Agron Avdijaj nga LVV; Ali Nimanaj nga PDK; Bekë Berisha nga AAK; Idriz Blakaj nga IBI; Ilir Ferati nga LDK.

Përballë kandidatëve për kryetar të komunës do të jenë edhe kandidatet për asambliste në Kuvendin Komunal të Istogut: Delvina Sylaj nga LDK; Fjoralba Raci nga LVV; Jehonë Mehmetukaj nga AAK dhe Lirije Demiri-Sadikaj nga PDK.

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.