Foto: KALLXO.com

Kandidati i LDK-së për kryetar të Junikut, merr më së shumti vota të mërgatës

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Junikut, ka fituar numrin më të madh të votave të mërgatës.

Nga mbi 9 mijë e 610 vota të aprovuara nga fletëvotimet e ardhura me postë, 843 prej tyre ishin për komunën e Junikut. Nga këto 843 vota, më së shumti ka marrë kandidati i LDK për kryetar, Ruzhdi Shehu gjithsej 446 sosh.

Numërimi i votave të mërgatës për këtë komunë, i bërë në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka përfunduar ditën e djeshme.

Pas tij Shehut të LDK-së, i dyti më i votuar ka dalë të jetë Agron Kuqi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës me 332 vota, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje Besart Tofaj është votuar si i treti me 61 vota të mërgatës, ndërsa Fatos Shala nga Partia Demokratike e Kosovës ka marrë vetëm 6 vota.

Agron Kuqi në zgjedhjet e 17 tetorit ka fituar 1,062 vota apo 47.26%, Ruzhdi Shehu 851 vota (37.87%), Besart Tofaj 272 vota (12.11%) dhe Fatos Shala 62 vota (2.76%)

Ndërsa, sipas KQZ-së do të numërohen edhe votat me kusht dhe ato të personave me nevoja të veçanta. Kjo komunë, në bazë të rezultateve të deritashme, do të shkoj në përballje balotazhi mes Kuqit të AAK-së dhe Shehut të LDK-së.