Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kandidati i AKR-së tregon vizionin e tij për Prishtinën pa tollovi veturash

Kandidati i Aleancës ‘Kosova e Re’ për kryetar të Prishtinës, Gëzim Mehmeti, ka treguar planet për zgjidhjen e tollovisë në kryeqytet.

Ai ka thënë se përparësi do t’u jepet këmbësorëve, transportit publik, biçikletave e krejt në fund do të jenë veturat.

Po ashtu, Mehmeti ka thënë se do t’u paguhen qytetarëve biletat e Trafikut Urban në mënyrë që ata të mënjanojnë përdorimin e veturave.

“Unë e shoh planin e rregullimit të tollovisë përmes planit të mobilitetit urban. Plani i jep përparësi shumë të madhe këmbësorëve, transportit publik, biçikletave dhe së fundmi veturave. E trajton në mënyrë shumë të saktë sepse është hartuar nga ekspertë të ndryshëm të lëmive. Parashihet ndërtimi i pesë parkingjeve, tri i kemi ndërtuar, edhe dy tjera. Prishtina ka një hyrje, fluks të jashtëzakonshëm të veturave, diku mbi 170 mijë vetura, parashihet që të paguhet bileta në Trafik Urban kështu i largojmë hyrjen e veturave. Kushton diku 120 milionë euro”, ka thënë Mehmeti.

Sonte, për herë të parë, kandidatët për kryetar të Prishtinës debatojnë mes vete në #DebatPernime.

Kandidatët për kryetar të Prishtinës të cilët do të shpalosin programet dhe planet e tyre për kryeqytetin për katër vitet e ardhshme.

Se si do të duket Prishtina në vitin 2025 do të tregojnë: Arben Vitia nga LVV; Avni Çakmaku nga Fjala; Daut Haradinaj nga AAK; Florim Isufi Partia Balliste; Gëzim Mehmeti nga AKR; Përparim Rama nga LDK dhe Uran Ismail nga PDK.

Kandidatët për të parin e Prishtinës do të përgjigjen përballë Jeta Xharrës për menaxhimin e pandemisë COVID-19, cilat janë planet e tyre për arsim, ambient, kulturë, siguri publike dhe tema të tjera.

Përballë kandidatëve për kryetar të komunës së Prishtinës janë edhe kandidatet për asambliste: Diana Mejzinolli nga LVV; Donjeta Dragusha nga LDK; Dhurata Salihi nga AAK; Eliza Hoxha nga PDK; Figen Shabani nga KDTP; Fiknete Bejta nga AKR dhe Marigonë Tahiri nga Lëvizja për Bashkim.