Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kandidati i AAK-së: Qeveria po e injoron kërkesën për ta rregulluar gypin e ujërave të zeza në Kamenicë

Kandidati për kryetar të Komunës së Kamenicës nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Faton Jakupi ka thënë se Ministria e Planifikimit Hapësinor po injoron kërkesën e komunës për të sanuar dëmtimin në kolektorin e ujërave të zeza në fshatin Topanicë.

“Në janarin e këtij viti, gjatë vërshimeve është dëmtuar kolektori F-800 me gjatësi prej 260 metrave, e që ai projekt nuk është i pranuar teknikisht, komuna nuk është përgjegjëse për punët që janë bërë, është Ministria e Planifikimit Hapësinor. Ministria vazhdon ta injoroj kërkesën e Komunë së Kamenicës për me ardh me sanu gjendjen aktuale. Paret e komunës për me u planifiku dhe me shku me sanu atë gjendje nuk mundemi derisa nuk e kemi një vendim final të Ministrisë së Planifikimit Hapësinor”, tha ai.

Kjo problematikë është adresuar në Debat Pernime nga qytetaret e fshatit Topanicë.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Kamenicës diskutojnë në #DebatPernime për planet e tyre pas zgjedhjeve të 17 tetorit.

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët për kryetar të komunës së Kamenicës: Albert Sermaxhaj nga Nisma Socialdemokrate; Faton Jakupi nga AAK; Jeton Biqkaj nga LDK; Kadri Ramaj nga LVV; Muhamed Kallaba nga PDK dhe Qëndron Kastrati nga PSD.

Përballë kandidatëve për kryetar të komunës do të jenë edhe kandidatet për asambliste në Kuvendin Komunal të Kamenicës: Diana Kryeziu nga AAK; Donjeta Ismajli LVV; Egzona Isufi LDK; Jona Arifi nga PDK dhe Shqiponjë Morina nga PSD.

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.