Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kandidati i AAK-së për Pejën premton ulje të taksave për bizneset e reja që janë goditur nga pandemia

Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, për kryetar të Pejës, Rrustem Berisha ka thënë se do t’i përkrahin bizneset e vogla të njohura si “start-up”, të cilat janë goditur ekonomikisht si pasojë e pandemisë COVID-19.

“Ne në programin tonë e kemi paraparë mundësinë se si do t’i ndihmojnë këto biznese. Ne do të shkojmë me forma të ndryshme, ose me ulje të taksave ose me forma të tjera që do t’i mbështesim bizneset”, tha ai në Debat Pernime.

Kurse, kandidati për kryetar të Pejës nga LDK-ja dhe kryetari aktual, Gazmend Muhaxheri tha se në Pejë janë mbyllur mbi 40 biznese të reja në kohë pandemie.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Pejës diskutojnë në #DebatPernime për planet e tyre pas zgjedhjeve të 17 tetorit.

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët për kryetar të komunës së Pejës: Gazmend Agusholli nga LVV; Gazmend Muhaxheri nga LDK; Kreshnik Husaj nga PDU dhe Rrustem Berisha nga AAK.

Përballë kandidatëve për kryetar të komunës do të jenë edhe kandidatet për asambliste në Kuvendin Komunal të Pejës: Albulena Mujaj Bajraktaraj dhe Xhenet Syka Kelmendi nga LDK; Arlinda Selmani dhe Vera Kolgjeraj nga AAK; Arta Nallbani dhe Flutra Kasapolli nga PDK; Eleonora Bala dhe Hidajete Nikçi nga LVV.

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.