Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Gazmend Syla, Foto: Facebook/Gazmend Syla

Kandidati i AAK-së flet për videon në të cilën e quajti Vjosa Osmanin ‘e trashë’

Sot në disa portale u shpërnda një video, në të cilën dëgjohej kandidati për deputet nga AAK, Gazmend Syla, duke e quajtur Vjosa Osmanin ‘grua e trashë’.

Në lidhje me këtë, Syla ka reaguar përmes një postimi në ‘Facebook’, duke thënë se dikush e ka nxjerrë nga konteksti deklaratën e tij.

“Në një pjesë të videos është shkëputur fjalia ku unë znj. Osmani i referohem si e “trashë”, ndërsa nuk pasqyrohet i tërë fjalimi, ku unë “trashësinë” e saj e shpjegoje me trashësinë mendore, duke aluduar në deklaratën e saj të mëherëshme kur thotë se ka qenë “e manipuluar” nga LDK në kohën kur e kishte sulmuar Lëvizjen Vetëvendosje”.

Tutje, Syla ka shkruar se asnjëherë nuk e ka pasur për qëllim talljen e fizikut të Osmanit, ndërsa ka thënë se ata që e kanë shkëputur fjalimin e tij, nuk e morën mundin që ta kontaktojnë për ta dhënë shpjegimin e tij.

Në fund, ai i ka kërkuar falje Vjosa Osmanit për shqetësimet eventuale, ndërsa i ka bërë thirrje mediave që të jenë më të kujdesshëm e korrekt në transmetimin e lajmeve.

“Për hir të informimit korrekt të publikut e në mënyrë që të shmang keqkuptimet tjera, e mora mundin të sqarojë deklaratën time të djeshme. Znj. Osmani e kujtdo tjetër i kërkoj ndjesë për shqetësimet eventuale, me shpresë se i kuptojnë tashmë nxjerrjet nga konteksti që kohë pas kohe i bëjnë dashakëqinjtë”, ka shkruar në fund Syla.