Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kandidati i AAK-së: Buxhetin për shëndetësi ta menaxhojnë drejtorët e klinikave

Doktori Shemsedin Dreshaj që aderoi para pak ditësh në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës  ka thënë se në rast se bëhet deputet apo Ministër i Shëndetësisë, do të punojë që buxhetin për shëndetësi ta menaxhojnë drejtorët e klinikave përkatëse.

Sipas tij, krejt çfarë bëjnë drejtorët tash, është që dërgojnë kërkesa.

“Nëse bëhem deputet ose ministër, në rend të parë do të kthehet identiteti, përgjegjësia dhe kompetenca e drejtorit të Klinikës. Ne duam decentralizim, ku buxhetin e menaxhon drejtori i Klinikës, sepse sot drejtori i Klinikës nuk bënë asgjë, pos dërgon kërkesa me letër”, tha Dreshaj në Kallxo Përnime.

Dreshaj ka folur edhe për konkursin për drejtorin e ShSKUK-së që është hapur së fundi.

“Në konkursin për ShSKUK duhet të ketë transparencë. Drejtori i ri duhet të jetë apolitik dhe të jetë staf akademik. Mendoj se duhet të përfshihet kompania angleze në rekrutim”, tha ai.