Kandidati denoncon parregullsitë e konkursit në Dragash, Prokuroria nis hetimet

Një konkurs që ishte shpallur në janar të vitit 2020 nga Drejtoria e Arsimit në Dragash po hetohet nga Prokuroria e Prizrenit.

Njëri nga kandidatët që nuk u pranua si mësimdhënës në shkollën fillore “Fetah Sylejmani” në fshatin Xërxe të Dragashit, po konteston konkursin i cili u shpall nga Drejtoria e Arsimit e Komunës së Dragashit.

Mërgim Qollopeku po pretendon se i është bërë e padrejtë kundrejt Muhamed Misinit, ky i fundit u pranua në konkursin e datës 15 janar 2020 për mësues klasor. Qollopeku pretendon se pati parregullsi në disa faza të konkursit.

Kandidati Mërgim Qollopeku ka shfrytëzuar të gjitha mundësitë e ankesës, ndërsa së fundmi mori një përgjigje pozitive nga Prokuroria e Shtetit, pasi ngriti një kallëzim penal ndaj Drejtorisë së Arsimit të Komunës së Dragashit.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Prokuroria e Prizrenit konfirmoi se ka autorizuar forcat e rendit për mbledhjen e informacioneve.

“Referuar pyetjeve tuaja ju njoftojmë se, Prokuroria Themelore në Prizren – Departamenti i Krimeve të Rënda ka autorizuar policinë për mbledhjen dhe grumbullimin e të dhënave lidhur me rastin konkret. Rrjedhimisht, rasti në fjalë është duke u hetuar dhe trajtuar nga prokuroria, andaj për rrjedhën e mëtutjeshme të rastit do të njoftoheni me kohë”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë së Prizrenit, Departamentit të Krimeve të Rënda.

Në një intervistë për KALLXO.com, kandidati Mërgim Qollopeku ka treguar disa prej shkeljeve, sipas tij, që kanë ndodhur në konkursin e DKA-së në Dragash.

“Duke u nis nga fillimi, nuk ka pasur një lajmërim për konkursin, unë e kam kuptuar nga një mik i imi që punon në komunë, njoftime nuk ka pasur as në DKA, as online. Testimi ka shkuar mirë, por publikimi i rezultateve është vonuar shumë sipas mendimit tim, sepse janë vonuar 18 ditë, gjë e cila është në kundërshtim me legjislacionin. Për këtë nuk kanë dhënë ndonjë arsye”, thotë ai.

“Mua më është mohuar mundësia me e pa testin, dy herë, herën e tretë, e kemi vërejtur që m’u kanë hequr dy poena, e kanë pranuar që kanë gabuar por nuk e kanë korrigjuar në web faqen e Komunës”, pretendon Qollopeku.

Mërgim Qollopeku, kandidat

Ai ka kërkuar nga Komuna e Dragashit që të kthejë në pikën zero konkursin.

“Unë kam bë ankesa në Inspektoratin e Punës në Prizren, në fakt jemi ankuar disa herë dhe vendimi i shkallës së dytë të Inspektoratit ka thënë që duhet të anulohet konkursi. Unë pres që konkursi të anulohet dhe të rikthehet në fillim sepse i gjithë konkursi është përcjellur me shkelje”, thotë ai.

Në anën tjetër, kryetari i Komunës së Dragashit, Shaban Shabani, thotë se ankesat për konkurs i kanë pranuar dhe i kanë trajtuar.

“Informatat që kam nga DKA-ja, ka qenë një konkurs publik nga shkolla “Fetah Sylejmani” paralelja në fshatin Xërxe, komisioni e ka kryer punën e vet dhe ka nxjerr rezultatin e atij konkursi. Pas një kohe ka pasur palë që kanë bërë ankesën, në komision dhe në Inspektorat, këto janë normale me ndodh”, thotë Shabani.

Por, Shabani thotë se kontrata për kandidatin që është pranuar në punë është vetëm atëherë pasi janë konsumuar mundësitë e ankimimit. Sipas tij, procesi për vendin e punës mësues klasor është i mbyllur.

“Inspektorati ka kërkuar me u përsëritë intervistimi me gojë dhe kjo ka ndodhur. Po ashtu, pala është ankuar edhe në gjykatë. Aq sa kam informacion, pala ankuese i është drejtuar edhe gjykatës, ka pasur refuzim edhe nga ajo pjesë, e gjykatës. Duke e parë një situatë të tillë, DKA e ka lidhë kontratën, në një farë forme, për ne dhe për DKA-në, llogaritet një proces i mbyllur. Gjithsecili e ka të drejtën me lypë edhe instanca të tjera atë që pretendon”, tha ai për KALLXO.com.

Shabani thotë se në rast se një institucion vlerëson që konkursi duhet të kthehet në pikën zero atëherë do të respektohet.

“Ne e kemi pasur gjendjen stabile në këtë aspekt, nuk kemi pasur probleme me konkurse në DKA më parë. Gjithsecili konkurron me u punësu, ne jemi të angazhuar që të respektohen të gjitha procedurat. Nëse rekomandohet ma institucione përgjegjëse, ne do ta kthejmë në pikën zero konkursin”, deklaron ai.

Shaban Shabani, kryetar i Komunës së Dragashit

KALLXO.com ka provuar të marrë përgjigje nga kandidati i cili është pranuar në punë si mësimdhënës klasor, kohë më parë, por ai nuk ka dashur të prononcohet dhe ka thënë që t’i drejtohemi institucioneve përgjegjëse.

Vloran Cenaj, drejtor i Arsimit në Komunën e Dragashit, ka mohuar shkeljet e procedurave në konkurs.

“Procedurat të cilat janë ndjekur për hapjen e konkursit në fjalë janë konform legjislacionit në fuqi në Republikën e Kosovës. Nuk ka pasur shkelje gjatë mbajtjes së testit me shkrim e as gjatë intervistës me gojë”, ka thënë ai.

Drejtori i Arsimit ka përmendur edhe refuzimin për masë të sigurisë që kishte kërkuar pala ankuese.

“Gjykata e Apelit në Prishtinë merr Aktvendim Ca.nr.4648/20 date 20.10.2020 ku hedhet ankesa e propozuesit të sigurisë Mergim Qollopeku e paraqitur kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prizren, dega ne Dragash Cr.nr.123/2020 date 25.09.2020 si e pa lejuar”, ka thënë ai.

KALLXO.com do të monitorojë konkursin për mësues klasor në shkollën “Fetah Sylejmani” në fshatin Xërxe të Dragashit.

Dragash, asamblistja dhe kryetarja e rinisë së PDK-së punësohen si mësimdhënëse

 

www.kallxo.com