Kandidatët republikanë që dikur kundërshtonin zgjedhjet, heshtin pasi fitojnë zgjedhjet paraprake

Republikani nga shteti Nevada Jim Marchant këmbëngulte se në shtetin e tij, nuk kishte patur zgjedhje legjitime për mbi një dekadë. Të gjithë ata që patën fituar zgjedhjet në Nevada, që nga viti 2016, tha ai rishtazi në një regjistrim zanor podcast, ishin “të caktuar nga klika e shtetit të fshehtë”.

Por, kur këtë javë zoti Marchant fitoi emërimin republikan për në postin e sekretarit të shtetit të Nevadas, ai e kremtoi menjëherë fitoren e tij, si një fitore legjitime.

“Jam më se i përulur nga mbështetja masive për fushatën tonë. Banorët bënë që zëri i tyre të dëgjohet”, deklaroi zoti Marchant në mediat sociale.

Këto qëndrime kundërthënëse janë bërë shenjat dalluese, të atyre që e mohonin rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, por që po konkurrojnë tani vetë në zgjedhjet paraprake brenda Partinë Republikane për zgjedhjet për në Kongres në nëntor të këtij viti.

Dhjetëra kandidatë të Partisë Republikane në Nevada, Ohajo, Pensilvani, Teksas dhe shtete të tjera, që donin të kishin mbështetjen e ish-Presidentit Donald Trump, përsëritën për muaj të tërë pretendimet e tij të pabazuara për manipulimin e zgjedhjeve të vitit 2020, por kur morën pjesë vetë në garë dhe fituan, shpallën menjëherë fitoren, pa ngritur më shqetësime për procesin zgjedhor.

Ndërsa mund të tingëllojë si hipokrizi, shumë kandidatë republikanë ende zotohen se do të kërkojnë një seri reformash elektorale, që mund ta bëjnë më të vështirë që njerëzit të votojnë – në veçanti për ato segmente që tradicionalisht mbështesin demokratët – në emër të integritetit të zgjedhjeve.

Kreu i Komitetit Kombëtar Demokrat, Jamie Harrison, paralajmëroi se republikanët, që mbështesin lëvizjen MAGA të ish-Presidentit Trump “do të bënin çdo gjë në përpjekjet e tyre të dëshpëruara për pushtet”.

“Nga minimi i demokracisë tonë duke përhapur “Gënjeshtrën e Madhe” të Trump-it, tek përgatitja e terrenit për të mos pranuar rezultatin e zgjedhjeve kur nuk janë dakord me të, por duke rënë në heshtje, nëse fitojnë; kjo është Partia e sotme Republikane”, i tha zoti Harrison agjencisë së lajmeve Associated Press.

Të martën në Nevada, zoti Marchant ishte një ndër disa mohuesit e zgjedhjeve, që fituan garën paraprake për të konkurruar në zgjedhjet e nëntorit, pa ngritur ndonjë dyshim për legjitimitetin e rezultatit të fitores. Në këtë grup ka kandidatë për në Senat, për postin e sekretarëve të thesarit të shteteve, si dhe për një vend ligjvënësi në zonën e Las Vegasit. Kjo ndodh ndërsa shumica e këtyre zonave vazhdojnë të përdorin makineritë e votave të kompanisë Dominion, që vazhdojnë të jenë në epiqendër të teorive të konspiracionit të ish-Presidentit Trump dhe aleatëve të tij.

Fenomeni shtrihet përtej Nevadës.

Në Pensilvani, kandidati republikan për guvernator Doug Mastriano, ishte personi që u vu në krye të ankesave të cilat çuan në një seancë dëgjimore në Senat, ku dëshmitarët, ndër ta edhe ish-avokatët e fushatës Trump, Jenna Ellis dhe Rudy Giuliani, paraqitën pretendime false për manipulime në masë gjatë zgjedhjeve. Zoti Mastriano gjithashtu gjendej jashtë Kapitolit të Shteteve të Bashkuara, kur një turmë e zemëruar mbështetësish të ish-Presidentit Trump, hynë me forcë gjatë trazirave të dhunshme të vitit 2021.

Zoti Mastriano nuk përmendi manipulim zgjedhor kur shpalli fitoren muajin e kaluar në zgjedhjet paraprake republikane në Pensilvani si kandidat për guvernator.

“Zoti është i mirë”, u tha me buzëqeshje zoti Mastriano mbështetësve të tij që brohorisnin.

Zyrtarët e fushatës së tij elektorale refuzuan t’i përgjigjen pyetjes për standardin e dyfishtë.

Prokurori i përgjithshëm i Teksasit, Ken Paxton, gjithashtu injoroi pyetjet për qëndrimet kontradiktore të tij për manipulimin zgjedhor.

Zoti Paxton fitoi në një garë të ngushtë paraprake muajin e kaluar, pasi në pjesën më të madhe të vitit kishte mbrojtur pretendimin fals të ish-Presidentit Trump për manipulime zgjedhore. Pas fitores së Joe Biden-it në zgjedhjet presidenciale, zoti Paxton bëri padi gjyqësore për të sfiduar rezultatet në katër shtete që ishin kyçe për fitoren e zotit Biden. Ai kërkonte nga Gjykata e Lartë që të mos njiheshin rezultatet dhe të mundësonte që fituesi të përzgjidhej nga legjislaturat me shumicë republikane të këtyre shteteve.

Përpjekjen e tij e mbështetën edhe shtatëmbëdhjetë prokurorë të përgjithshëm republikanë të shteteve amerikane.

Gjykata e refuzoi padinë tre ditë pasi ishte paraqitur, duke arritur në përfundimin se shteti i Teksasit nuk ka bazë ligjore për të paditur shtetet e tjera për mënyrën se si i zhvillojnë zgjedhjet. Dhe shoqata e juristëve e Teksasit vendosi masë disiplinore ndaj zotit Paxton pak ditë pasi fitoi në zgjedhjet paraprake, duke thënë se roli i tij udhëheqës në padinë në Gjykatën e Lartë për të bllokuar fitoren e zotit Biden, ishte “i pandershëm”.

Zyrtarët zgjedhorë në nivel shtetëror dhe federal në të gjithë vendin, si dhe vetë prokurori i përgjithshëm i ish-Presidentit Trump, kanë thënë se nuk ka prova të besueshme që zgjedhjet të ishin të mangëta. Akuzat e ish-presidentit për manipulime gjithashtu u hodhën poshtë nga gjykatat, përfshirë edhe nga gjyqtarët që ai vetë i kishte emëruar.

Por pas gati dy vite pretendimesh të vazhdueshme të ish-Presidentit Trump, se zgjedhjet ishin “vjedhur” dhe përsëritja e kësaj akuze nga qindra kandidatë republikanë në mbarë Shtetet e Bashkuara, që duan të sigurojnë mbështetjen e tij, një numër i jashtëzakonshëm amerikanësh kanë humbur besimin në sistemin zgjedhor të Shteteve të Bashkuara.

Vetëm 45% e amerikanëve në moshë madhore thonë se kanë besim të konsiderueshëm se votat në zgjedhjet për në Kongres këtë vit, do të numërohen me saktësi dhe 30% kanë njëfarë besimi, sipas një anketimi të muajit shkurt të AP-NORC (Qendra Kërkimore për Çështjet Publike e agjencisë së lajmeve Associated Press). Demokratët kanë shumë më tepër gjasa se republikanët të kenë besim tek zgjedhjet, 66% kundrejt 24%.

Anketimet vazhdojnë të tregojnë se shumica e republikanëve kanë dyshime për zgjedhjet presidenciale të vitit 2020. Në korrik 2021, 68% e personave në moshë madhore – por vetëm 33% e republikanëve – thanë se zoti Biden u zgjodh president në mënyrë legjitime, sipas një anketimi të AP-NORC. 66% përqind e republikanëve thanë se ai nuk ishte zgjedhur në mënyrë legjitime.

Përveç zyrtarëve kryesorë të shteteve, disa kandidatë për në Senat të mbështetur nga ish-Presidenti Trump folën vazhdimisht për manipulime zgjedhore – me përjashtim të rasteve kur mbajtën fjalimet e tyre të fitores në zgjedhjet paraprake gjatë javëve të fundit.

Kandidati republikan për në Senat në shtetin Xhorxhia, Herschel Walker, vazhdimisht pretendoi se fitorja e zotit Biden ishte njollosur nga manipulimi gjatë vitit të kaluar dhe madje bëri thirrje që në shtatë shtete, ku humbi ish-Presidenti Trump, të votohej përsëri. Kandidati republikan për në Senat në shtetin Ohajo, J.D. Vance, pretendoi se zgjedhjet e vitit 2020 ishin “të manipuluara” ose “të vjedhura”. Kandidati për në Senat nga Karolina e Veriut, Ted Budd, një ligjvënës republikan, refuzoi në ditën e fitores së tij në zgjedhjet paraprake në muajin maj të thoshte se zoti Biden ishte fituesi i zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020. Dhe kandidati republikan i Pensilvanisë për në Senat, Mehmet Oz tha se kishte “patjetër” manipulim të gjerë në shtetin e tij, megjithëse provat tregojnë të kundërtën.

Asnjë prej tyre nuk ngriti pretendime të ngjashme pas fitores në zgjedhjet paraprake.

Kryetari i Partisë Republikane në shtetin Nevada, Michael McDonald tha se fakti që zoti Marchant pranoi fitoren e tij në zgjedhjet paraprake nuk ishte hipokrizi, pasi ai vazhdon të ketë pikëpyetje në lidhje me numërimin e votave në zonën e Las Vegasit.

“Ai po vinte në dyshim rezultatet mbrëmë, edhe pse po fitonte, gjë që m’u duk e admirueshme”, tha zoti McDonald, duke treguar për një telefonatë në orën 1:30 të mëngjesit me zotin Marchant.

Zoti Marchant nuk iu përgjigj kërkesave për koment, por këshilltari i tij për fushatën, Rory McShane tha se ai vazhdon të ketë pikëpyetje në lidhje me votimin në bashkinë Clark, e cila anon nga demokratët dhe është vendi ku jeton shumica dërrmuese e popullsisë së këtij shteti, pavarësisht se ai u njoftua si fitimtar i kësaj gare.

Nuk mund të ketë përkrahës më të zëshëm të pretendimeve të pabaza të ish-Presidentit Trump për manipulim zgjedhor sesa zoti Marchant, një 66-vjeçar, që ka kandiduar në të kaluarën pa sukses për t’u zgjedhur ligjvënës.

Zoti Marchant ishte i pranishëm në Carson City kur partia dërgoi tabulate rivale të votave elektorale në Kongres në dhjetor 2020. Gjatë gjithë zgjedhjeve paraprake, ai ishte pjesëmarrës në mbledhjet e komisioneve të këtij qarku rural gjatë diskutimeve rreth makinerive të votimit të kompanisë Dominion dhe kalimit të mundshëm në numërimin e votave me dorë. Dhe ai ka bërë vizita në mbarë vendin, së bashku me të tjerë mohues të rezultatit së zgjedhjeve të vitit 2020, duke përdorur fraza dhe terminologji të lidhura me teoritë e konspiracionit të grupit QAnon.

Cisco Aguilar, demokrati që kandidon përballë zotit Marchant, i cilësoi deklaratat e republikanëve për zgjedhjet e 2020-ës, për makineritë e votimit dhe për fletëvotimet e dërguara me postë, si të shkëputura nga realiteti.

Në një intervistë, zoti Aguilar tha se ndjen përgjegjësi të pamatë pas fitores së zotit Marchant dhe tha se tani po peshon aspekte që nuk i kishte parashikuar kur hyri në garë, të tilla si nëse pranimi për një debat do t’i ofronte një platformë një mbështetësi të teorive konspiracioniste.

“Ai ka krijuar një frikë masive në radhët e një nëngrupi individësh këtu në Nevada”, tha zoti Aguilar. “Unë as nuk e di nëse mund të bësh debat me dikë që nuk është i gatshëm të dëgjojë”./VOA