Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kandidatët për kryetar të Shtimes premtojnë furnizim me ujë

Disa qytetarë të Shtimes kanë treguar në DebatPernime problemet e tyre me furnizimin me ujë.

Kandidatët për kryetar të Komunës së Shtimes kanë dhënë premtimet e tyre për furnizim me ujë në këtë komunë, pas ngritjes së këtij problemi nga ana e qytetarëve.

Qemajl Aliu, kandidat për kryetar të Shtimes nga LVV-ja, në DebatPernime ka thënë se nëse merr besimin e qytetarëve, brenda katër viteve do të sigurojë ujë për çdo shtëpi.

“Kjo është elementare, është bazike për jetën. Ujësjellësi do të shkojë në çdo shtëpi të çdo qytetari të komunë së Shtimes në fund të mandatit të parë timin, brenda katër viteve të para”, u zotua ai.

Kurse, kandidati nga radhët e PDK-së për kryetar të Shtimes dhe kryetari aktual i Shtimes, Naim Ismajli, ka thënë se komuna do të nënshkruajë një marrëveshje me donator për të siguruar ujë në vitet 2021-2022.

“Me donatorin, Katarin, jemi në prag të marrëveshjes, projekti mendohet që në vitet 2021-2022 të mbarojë. Projekti parasheh rritjen e kapaciteteve të ujit dhe shtrirjen në gjithë territorin e komunës së Shtimes”, theksoi ai.

Ndërkaq, kandidati nga LDK-ja për kryetar të Komunës së Shtimes, Bedri Zeqiri, në Debat Pernime u zotua se do të sigurojë ujë për të gjitha fshatrat e Shtimes.

“Uji mungon në të gjitha fshatrat, me mua kryetar ato do të funksionalizohen në mandatin e ardhshëm”, u shpreh Zeqiri.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë karrigen e të parit të Shtimes diskutojnë në #DebatPernime për planet e tyre pas zgjedhjeve të 17 tetorit.

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët për kryetar të komunës së Shtimes: Bedri Zeqiri nga LDK; Naim Ismajli nga PDK dhe Qemajl Aliu nga LVV.

Përballë kandidatëve për kryetar të komunës do të jenë edhe shtatë kandidate për asambliste në Kuvendin Komunal të Shtimes: Adelina Beqa-Limani nga PDK; Albana Fazliu dhe Vahide Rexhaj nga LDK; Shqipe Miftari nga LVV; Zejnie Veliu nga Lista Guxo.

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.