Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kandidatët për kryetar të Deçanit premtojnë bursa të përvitshme për studentët

Kandidatët për kryetar të komunës së Deçanit kanë premtuar bursa për studentët e dalluar të komunës.

Sipas kandidatëve të kësaj komunë, do të jetë minimalisht 30 e deri në 100 bursa për studentët.

Kandidatja për kryetare të Komunës së Deçanit, nga Partia Demokratike e Kosovës, Ardiana Qorraj, në Debat Pernime ka thënës se do të ndajë 30 bursa për studentët.

“Me mu bursa do të ketë çdo vit bursa të rregullta dhe do t’i mbështesim studentët ekselencë. Do t’i bëj 30 bursa”, ka thënë Qorraj nga PDK.

Kandidati nga radhët  e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për kryetar të Deçanit, Bashkim Ramosaj  në Debat Pernime, ka thënë se do të jenë minimalisht 50 bursa.

“Është në proces buxheti për bursa, ne ju kemi ofruar studentëve mundësi që të punojnë në komunë dhe të marrin gjysmë page. Jo më pak se 50 bursa për çdo vjet”, ka premtuar Ramosaj nga AAK.

Kandidatja për kryetare të Komunës së Deçanit nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Hyri Dobrunaj në Debat Pernime ka thënë se bursat nuk do të ndahen në vitin e zgjedhjeve.

“80 bursa do të ndahen dhe nuk do të ndahen në vitin e zgjedhjeve”, ka premtuar Dobrunaj nga LDK.

Kandidati i pavarur Isa Elezaj për këtë komunë ka thënë se do të ndajë bursa për secilin studentë që do të nisë studimet.

“Do të kenë bursa të gjithë ata që do të duan të shkojnë në studime. Nëse do të ketë 1000 kërkesa, 1000 bursa do t’i ketë. Prej 100-150 euro bursa në vit”, ka premtuar kandidati i pavarur Isa Elezaj.

Kandidati nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Komunës së Deçanit, Orges Tafilaj, në Debat Pernime tha se do të ketë minimum 40 bursa.

“Minimum do të jetë 40 bursa në vit për studentët e dalluar”, ka premtuar Tafilaj.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Deçanit diskutojnë në #DebatPernime për planet e tyre pas zgjedhjeve të 17 tetorit.

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët për kryetar/e të komunës së Deçanit, Ardiana Qorraj nga PDK; Bashkim Ramosaj nga AAK; Hyri Dobrunaj nga LDK; Isa Elezaj – kandidat i pavarur; Orges Tafilaj nga LVV.

Përballë kandidatëve për kryetar të komunës do të jenë edhe kandidatet për asambliste në Kuvendin Komunal të Deçanit: Arbnora Dervishaj dhe Diana Krasniqi nga PDK; Fatjona Kuqi dhe Fahrije Haklaj nga LDK; Floriana Hulaj dhe Lendita Berisha nga AAK; Teuta Neziraj dhe Rabije Haklaj nga LVV.

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.