Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kandidatët për kryetar të Çairit japin premtime për arsimin

Çairit ka problem me numrin e madh të nxënësve në një klasë. Kandidatët për kryetar të Çairit në #DebatPernime kanë treguar se si do të zgjidhet ky problem nëse marrin mandatin e kryetarit.

Kandidati për kryetar të komunës së Çairit, Visar Ganiu nga BDI, premton se gjatë mandatit të tij do të ndërtohet një shkollë fillore dhe një çerdhe, po ashtu në programin e tij parashihen ndërtimi i një aneks-shkolle me katër klasa tek shkolla fillore “Iliria”.

“Tek lagjja “Skender Metallari” do të ndërtohet një shkollë fillore dhe një çerdhe e re dhe mendojmë që ajo dukshëm do ta lehtësojë funksionimin e shkollës fillore “Ismail Qemali”, për shkak se për momentin e kemi numrin më të koncentruar në atë shkollë. Po ashtu, kemi paraparë një shkollë aneks me katër klasa tek shkolla fillore “Iliria”, tha Visar Ganiu.

Tutje Ganiu premton se numri maksimal i nxënësve në një shkollë do të jetë 34.

“Ligji e jep se numri maksimal i nxënësve duhet me qenë 34 dhe premtoj se në mandatin e ardhshëm do ta bëjë numrin e nxënësve 34”, u shpreh Ganiu.

Ndërsa kandidati nga Lëvizja Besa, Kastriot Rexhepi, tha se punën e parë që do të bëjë është krijimi i paraleleve të reja që brenda mandatit të tij të fillojë mësimi në një ndërrim.

“Punën e parë që do të bëjmë, do ta shikojmë gjendjen në shkolla për shkak se ka hapësirë për ndërtimin e paraleleve të reja që të mund të mbërrijmë brenda mandatit të fillon mësimi në një ndërrim”, tha Rexhepi.

Tutje Rexhepi premtoi se në një klasë do të jenë 10 deri në 15 nxënës.

“Standardi shtetëror lejojnë, do të thotë se nuk është e ndaluar, mirëpo praktikisht është shumë e rënd dhe kjo ka të bëjë me paralelet në shkollat shqiptare përderisa në shkollat maqedonase kemi klasë me 10, 15 nxënës. Por duke shtuar kapacitetet do të mund të zvogëlojmë numrin e nxënësve me një klasë deri në 10, 15″, u shpreh Rexhepi”, u shpreh Rexhepi.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e komunës së Çairit diskutojnë në #DebatPernime për planet e tyre pas zgjedhjeve të 17 tetorit.

Përballë kandidatëve për kryetar të komunës ishin edhe kandidatet për asambliste në Kuvendin Komunal të Çairit: Antigona Kallaba nga BDI, Filiz Ndoci nga BESA, Lejla Emrullai nga BDI, Melek Aliju nga BESA dhe Sermine Purrini nga BDI.