Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kandidatet për Asamblenë e Pejës tregojnë për prioritetet në qeverisje

Kandidatet gra për Kuvendin Komunal të të Pejës, të ftuara në Debat Pernime kanë treguar prioritetet e tyre nëse e marrin besim e qytetarëve.

Kandidatja për asambliste, nga radhët e LDK-së Albulena Mujaj-Bajraktaraj theksoi se do të jetë pikë referimi ku qytetarët do të shprehin hallet dhe problematikat.

Ajo shtoi se prioritet do t’i jap zhvillimit të turizmit në Pejë.

“Pastaj edhe përkrahjes së rinisë në sport, duke pasur parasysh faktin se Peja njihet si vatër e kampionëve olimpik. Do të avokojë edhe në respektim të  Ligjit për barazi gjinore sidomos në pozita vendimmarrëse”, tha ajo,

Kurse Arlinda Selmani nga AAK-ja tha se qeverisja aktuale me parregullsi e ka shtyrë të kandidojë.

“E kemi edhe rastin e fundit, se Peja renditet e fundit për përmbushjen së programit qeverisës. Unë jam ekonomiste dhe prioriteti im do të jetë në këtë fushë”, tha ajo.

Kandidatja e PDK-së Arta Nallbani theksoi se do të fokusohet në arsim dhe zhvillim ekonomik.

“Si pasojë e pandemisë por edhe problemeve të natyrave tjera si dhuna në shkolla ose bullizmi vetëm përmes psikologëve do të mund të trajtoheshin, fatkeqësisht shkollat nuk kanë psikologë”, tha ajo.

Eleonora Bala nga Lëvizja Vetëvendosje tha se prioritet e saj janë të lidhura me shëndetësi.

“Siguria shëndetësore të krahasohet me shtetet e zhvilluara pse jo, kjo do vetëm përkushtim dhe dije, nuk do mjete të mëdha financiare. Do të përkushtohem që medikamentet shëndetësore të sigurohen pasi kemi ankesa nga qytetarët, të cilat kanë një kosto shumë të lartë. Duhet të kemi protokole që të gjithë mjekët familjar të punojnë njësoj”, tha ajo.

Kandidatja Flutra Kasapolli nga PDK-ja theksoi se Peja ka nevojë të jetë qytet aktiv.

“Ne kemi iniciuar disa pika, rritjen e sigurisë publike, lejen për bizneset që të punojnë 24 orë, subvencione për rininë, projekte për program kulturore, krijimin e një atelie artistike dhe krijimin e rrjetit të artistëve për promovimin e kulturës”, tha ajo.

Në anën tjetër, Hidajete Nikçi nga LVV-ja tha se do të fokusohet në përmirësimin e jetës së qytetarëve.

“Besoj në fuqizimin e grave dhe sa herë që të më jepet rasti do të përkrahi këtë. Do të jap kontribut në arsim për depolitizim. Në përkrahjen e kabineteve qoftë edhe me materiale shfrytëzuese pasi ka mungesë, transporti për nxënësit të jetë falas, të ndajmë bursa për nxënësit e dalluar”, shtoi ajo.

Vera Kolgjeraj, kandidate për asambliste nga AAK-ja tha se do të fokusohet në fushat sociale.

“Komuna nuk ka ndarë asnjëherë buxhet për Qendrën për Punë Sociale. Do të fuqizojmë atë që komuna të ndajë mjete që qytetit tonë, ndërtimin e një objekti të ri për fëmijët me nevoja të veçanta, Pejës i duhet edhe një qendër ditore”, potencoi ajo.

Kandidatja Xhenet Syka Kelmendi nga LDK-ja tha se se do të punojë për barazi gjinore.

“Skemën sociale e kemi më të mirën në Kosovë. Do të promovojmë edhe shtigjet kulturore”, tha ajo.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Pejës diskutojnë në #DebatPernime për planet e tyre pas zgjedhjeve të 17 tetorit.

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët për kryetar të komunës së Pejës: Gazmend Agusholli nga LVV; Gazmend Muhaxheri nga LDK; Kreshnik Husaj nga PDU dhe Rrustem Berisha nga AAK.

Përballë kandidatëve për kryetar të komunës do të jenë edhe kandidatet për asambliste në Kuvendin Komunal të Pejës: Albulena Mujaj Bajraktaraj dhe Xhenet Syka Kelmendi nga LDK; Arlinda Selmani dhe Vera Kolgjeraj nga AAK; Arta Nallbani dhe Flutra Kasapolli nga PDK; Eleonora Bala dhe Hidajete Nikçi nga LVV.

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.