Foto: KALLXO.com

Kandidatet gra për Kuvendin Komunal të Gjakovës prezantojnë prioritetet e tyre

Kandidatet për asambliste në Kuvendin Komunal të Gjakovës, në Debat Pernime kanë prezantuar prioritetet e tyre nëse arrijnë të marrin votat e nevojshme në zgjedhjet e 17 tetorit.

Kandidatja nga LDK-ja, Genta Domi-Hoxha tha se prioritet i saj është zhvillimi ekonomik.

“Do të përkrahim bizneset e vogla dhe të mesme, pastaj kemi arsimin ku edhe u përdor që ka mungesë të psikologëve nëpër shkolla, pasi jemi dëshmitarë që ka raste të dhunës në familje. Prioritet e kemi edhe depolitizimin e shkollave”, tha ajo.

Kurse, Lirianda Dahsyla nga PDK-ja theksoi se nëse bëhet asambliste do ta ketë prioritet fuqizimin e grave në vendimmarrje.

“Një nga arsyet kryesore që jam angazhuar në politikë është fuqizimi i gruas në vendimmarrje. Prioritet tjetër i imi është rinia. Do të ndihmojë edhe grupet e margjinalizuara të shoqërisë, sikurse fëmijët me nevoja të veçanta”, tha ajo.

Ndërsa, kandidatja për asambliste Nita Efendia-Brovina nga AAK-ja tha se do të ketë prioritet rritjen e stafit në çerdheve publike.

“Do të bëmë kënde për fëmijë në çdo lagje, do të bëjmë subvencionimin e grave fermere. Do të funksionalizojmë edhe dy qendra rinore”, tha ajo.

Ndërsa, Saranda Alimusaj nga Nisma Socialdemokrate tha se për herë të parë kandidon për asambliste.

“Arsye kanë qenë brengat e shumta që i preokupojnë qytetarët e Gjakovës. Do të jem zë i fuqishëm i të gjithëve. Do të fokusohem në fushën e punësimit sepse na mohohet kjo e drejtë, më është mohuar edhe mua, e drejta edhe e testimit”, u shpreh ajo.

Time Hasani nga LVV-ja tha se prioritet kryesor është që qyteti të gjelbërojë me qeverisjen e tyre.

“Fokus tjetër e kam arsimin, çerdhet, hapësirat rekreative për të rinjtë si edhe sigurinë në shkolla. Rinia dhe gratë do të jenë prioritet kryesore të mijat”, tha ajo.

Në anën tjetër, Valerije Kola nga PShDK-ja tha se do të fokusohet në ngritjen e perspektivës të të rinjve.

“Prioritet është dhënia e granteve për të rinjtë në biznes, mbështetjen e organizatave të të rinjve, kjo për një arsye që të rinjtë të punojnë dhe veprojnë për vendin e tyre”, theksoi ajo.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Gjakovës diskutojnë në #DebatPernime për planet e tyre pas zgjedhjeve të 17 tetorit.

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët për kryetar të komunës së Gjakovës: Arbënesha Kuqi nga PDK; Ardian Gjini nga AAK; Fazli Hoxha nga Nisma Socialdemokrate; Ferdinand Kolaj nga PShDK; Mimoza Kusari Lila nga LVV dhe Teki Shala nga LDK.

Përballë kandidatëve për kryetar të komunës do të jenë edhe kandidatet për asambliste në Kuvendin Komunal të Gjakovës: Genta Domi Hoxha nga LDK; Lirianda Dahsyla nga PDK; Nita Efendia Brovina nga AAK; Saranda Alimusaj nga Nisma Socialdemokrate; Time Hasani nga LVV dhe Valerije Kola nga PShDK.Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.