Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kandidatet gra për asamblenë e Kamenicës tregojnë prioritetet e tyre

Kandidatet për asambliste në Kuvendin Komunal të Kamenicës, në Debat Pernime kanë treguar se cilat politika do t’i shtyjnë përpara nëse marrin mandat nga zgjedhjet e 17 tetorit.

Kandidatja për asambliste nga radhët e AAK-së, Diana Kryeziu ka thënë se do të mundohet që të ketë buxhetim gjinor në komunë.

“Do të mundohem edhe për luftimin e dhunës në familje e cila po ndodhë shpesh sidomos ndaj grave. Lista jonë është 50 me 50 në përfaqësim gjinor në listën për asambliste. Kërkesa jonë është që pushteti të ndahet në 50 me 50. Do të ketë përkrahje financiare për gratë lehona në dy vitet e para”, theksi ajo.

Ndërsa, Donjeta Ismajli kandidate e LVV-së është shprehur se beson që do të jetë pjesë e Kuvendit Komunal pasi është bartëse e listës.

“Prioritet i imi i parë është shtyrja për rritjen e vendeve të punës me theks të veçantë për rininë dhe për gratë. Normalisht që punësimet të bëhen në baza meritore dhe në baza profesionale. Prioriteti im i dytë është që gratë me i stimulu për pozita vendimmarrëse”, theksoi ajo.

Kurse, kandidatja e LDK-së, Egzona Isufi thotë se do ta ketë prioritet kulturën, rininë dhe fuqizimi i rolit të gruas në institucionet komunale.

“Pra mbështetja kryesore do të jetë për gratë, në mandatit tonë prioritet i kemi gratë. Prioritet do të kemi edhe mbështetjen për nënat vetushqyese”, tha ajo mes tjerash.

Jona Arifi, kandidate e PDK-së për asambliste të Kamenicës theksoi se kauzë kryesore në politikë i ka të rinjtë dhe gratë.

“Shoqëria jonë sfidë kryesore ndër vite e ka pasur arritjen e barazisë gjinore dhe krijimin e hapësirës për të rinjtë. Të gjithë duam ta shohim Kamenicën një vend të pastër, ujë të pastër, arsim të mirëfilltë, mundësi punësimi”, shtoi ai.

Në fund, kandidatja nga radhët e PSD-së, Shqiponjë Morina ka thënë se do ta ketë në fokus sferën e shëndetësisë.

“Do të angazhohem maksimalisht në fuqizimin e grave dhe vajzave. Në qeverisjen aktuale kemi pasur hapësirë të mjaftueshme për vendimmarrje, ka pasur drejtoresha. Prioritet do ta kem edhe projektin e ndërtimit të një kuzhine të qytetit, ku personat me vështirësi ekonomike të ushqehen aty”, theksoi ajo.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Kamenicës diskutojnë në #DebatPernime për planet e tyre pas zgjedhjeve të 17 tetorit.

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët për kryetar të komunës së Kamenicës: Albert Sermaxhaj nga Nisma Socialdemokrate; Faton Jakupi nga AAK; Jeton Biqkaj nga LDK; Kadri R ahimaj nga LVV; Muhamed Kallaba nga PDK dhe Qëndron Kastrati nga PSD.

Përballë kandidatëve për kryetar të komunës do të jenë edhe kandidatet për asambliste në Kuvendin Komunal të Kamenicës: Diana Kryeziu nga AAK; Donjeta Ismajli LVV; Egzona Isufi LDK; Jona Arifi nga PDK dhe Shqiponjë Morina nga PSD.

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.