Foto: Reporter.al

Kandidatët e zgjedhjeve të pjesshme që thyen heshtjen zgjedhore

Tetë kandidatë për kryetar bashkie dhe një degë vendore e Partisë Demokratike thyen heshjten zgjedhore të shtunën nëpërmjet reklamave politike në ‘Facebook’.

Pas një fushate zgjedhore që zgjati dy javë, zgjedhësit iu  drejtuan kutive të votimit të dielën në gjashtë bashki për të zgjedhur kryebashkiakët për një mandat të pjesshëm.

Sipas Kodit Zgjedhor dita përpara datës së zgjedhjeve dhe data e zgjedhjeve, deri në orën e mbylljes së votimit, formojnë periudhën e heshtjes zgjedhore.

Gjatë kësaj periudhe kandidatët nuk lejohen të bëjnë fushatë në media, të zhvillojnë mitingje apo aktivitete të ngjashme elektorale.

Ndryshe nga sa parashikon Kodi Zgjedhor, të dhënat e mbledhura nga BIRN nga libraria e reklamave politike në rrjetin social ‘Facebook’, tregojnë se shumica e kandidatëve në zgjedhjet e 6 marsit, vazhdojnë të kenë reklama aktive elektorale.

Më konkretishkt, reklama politike në ‘Facebook’ vazhdojnë të kenë të shpërndajnë kandidatët Majlinda Angoni Jubani, Bardh Spahija, Xhemal Bushati, Luan Hoti, Emiriana Sako, Edison Memolla, Eriselda Sefa.

Sipas nenit 174 të Kodit Zgjedhor, subjekti që thyen heshtjen zgjedhore dënohet me 500 mijë lekë gjobë.

Gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet e pjesshme deri të enjten me 3 mars, 10 kandidatë pët kryetarë bashkie dhe 2 subjekte poltike shpërndanë 186 reklama politike në ‘Facebook’ dhe ‘Inatagram’, për një kosto prej 5,025 USD.

Reklamuesi më i madh ishte kandidati i koalicionit ‘Shtëpia se Lirisë’ në Durrës, Ardian Muka – i cili ka shpenzuar 1,506 USD për reklama politike, i ndjekur nga dega vendore e Partisë Demokratike në Lushnje, e cila ka shpenzuar 1027 USD për reklama.

Edhe gjatë zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021, partitë politike dhe kandidatët nuk e respektuan heshtjen zgjedhore në rrjetet sociale, por Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, KQZ nuk mori masa administrative kundrejt tyre.

Ndërkohë, vetë KQZ ka shpenzuar 2,080 USD gjatë fushatës për të informuar publikun. Ngjashëm me zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, reklamat e KQZ janë bërë në shumicën dërrmuese të tyre në llogarinë personale të Komisonerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi dhe jo nga llogaria e institucionit ne Facebook./Reporter.al