Kryeministri Albin Kurti dhe kancelari austriak Karl Nehammer FOTO: ZKM

Kancelari austriak mbështet kërkesën e Kurtit për shtimin e trupave të KFOR-it në Kosovë

Kancelari austriak, Karl Nehammer, ka thënë se e mbështet kërkesën e autoriteteve kosovare për shtim të trupave të KFOR në Kosovë.

Në konferencën e përbashkët me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, kancelari Nehammer tha që Austria ka më shumë se 300 ushtarë në Kosovë.

“Kryeministri e ka adresuar këtë dhe Austria ofron numrin më të madh të trupave në KFOR si shtet nga jashtë NATO-s. Kemi më shumë se 300 ushtarë që kryejnë detyrat e tyre në për paqe dhe siguri në Kosovë, mbështesim thirrjen e Kosovës për rritjen e trupave për siguri më të madhe dhe do të jemi të gatshëm të ofrojmë trupa mbështetës nëse KFOR-i na kërkon këtë gjë” – tha ai.

Nehammer tha që ndërhyrja e tyre do të jetë vetëm në rastet kur është e domosdoshme, pasi që sipas tij palët mund të bëjnë deeskalimin e situatës.

“Është me rëndësi që të dihet se edhe komunitete pajtohet me praninë e KFOR-it, qëndrojmë në dispozicion për të ndihmuar në dialog kudo e sido që të na kërkohet. Ne besojmë që të dyja palët kanë aftësi të deeskalojnë gjithë gjendjen. Si partnerë përpiqemi të ndërhyjmë vetëm kur është e domosdoshme” – tha ai.

Në fillim të këtij viti, kryeministri Albin Kurti ka kërkuar shtim të forcave të KFOR-it në Kosovë. Kurti në një intervistë për “Die Welt”-in gjerman ka thënë se shtimi i ushtarëve dhe pajisjeve ushtarake të NATO-s në Kosovë do të ndihmonin në paqe në gjithë Ballkanin Perëndimor.