Derdhja e kanalizimit në lum te kazerma e FSK-së në Gjilan, Foto: KALLXO.com

Kanalizimi kaplon lumenjtë në shumë komuna të Kosovës 

Mungesa e impianteve të ujërave të zeza ka bërë që kanalizimi të kaplojë lumenjtë e shumë komunave të Kosovës.

Përveç kësaj rrjedhat e lumenjve në vend janë shndërruar në deboni mbeturinash. 

Të dhënat e siguruara nga KALLXO.com  nëpër vendbanime të ndryshme të Kosovës më 2020, tregojnë degradimin që u bëhet lumenjve.

Lumi “Morava e Binçës” është në mesin e shumë lumenjve që mbushen me ujëra të zeza.

Ky lum kalon edhe nëpër fshatin Mugilla të komunës së Kllokotit. 

Në këtë fshat mes tjerash mungon uji i pijes, kanalizimi, ndriçimi publik, por nuk mungon ndotja e lumit e as hapësirave të tjera me bërllok që gjenden në këtë vendbanimi. 

Ndotjes së lumenjve nuk i kanë shpëtuar as komuna të tjera më të vogla të Kosovës. 

Në gjendje të tillë është edhe Parteshi, komunë e cila nuk numëron më shumë se tri fshatra.

Në Budrigë të Poshtme të kësaj komune, lumi i fshatit është i ndotur dhe gjatë verës kundërmon erë të keqe.

Edhe banorët e Leposaviqit vazhdojnë ta kenë problem ndotjen e ambientit. Në zona të caktuara nuk mblidhen mbeturinat ndërsa, kompania e cila mbledh mbeturinat e qytetit ka ndërtuar një deponi e cilas shtrihet shumë afër lumit të zonës duke ndotur kështu ujërat e pastërta të lumit.

Fshati më i madh i Novobërdës është Llabjani. Në këtë zonë, banorët nuk kanë as ujë e as kanalizim. 

Një investim i komunës në kanalizim ka dështuar pasi ujërat e zeza derdhen në lumin e fshatit e nga aty në liqenin e Badocit, prej të cilit furnizohet me ujë gjysma e Prishtinës.

Banorit të fshatit Emin Gashit, kanalizimi i kalon pranë shtëpisë së tij. 

“E para, është problem me jetu prej erës së kanalizimit edhe e dyta, fshatarët tjerë po i bijnë këtu kanalizimet se s’kanë kah i qojnë tjetër. I treti problem është, kjo është rrjedhja kryesore për liqenin e Badovcit me ujë e, këto mbeturina me shku ku pijnë njerëzit ujë, nuk besoj që ka në këtë Evropë”, tha ai.

Të dhënat e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në vitin 2019 kanë treguar se lumi më i ndotur në Kosovë është lumi “Sitnica”. 

Në Fushë Kosovë, në këtë lum shkarkohen edhe ujërat e zeza të Prishtinës.

Në anën tjetër,debat i ashpër për impiantin e ujërave të zeza u zhvillua në mes kryetarit të Junikut Agron Kuçi dhe opozitës në këtë komunë, në “Debat Pernime” në fund të vitit 2020.

“(Impianti i Ujërave të zeza), pranverën e vitit të ardhshëm, do të funksionalizohet impianti bashkë me trafot e energjisë elektrike, sepse kërkon energji elektrike”, kishte thënë kryetari i Junikut në Debat Pernime më 2017.

Por, Flurim Shala nga Lëvizja Vetëvendosje, ka reaguar duke deklaruar se impianti i ujërave të zeza “nuk punon dhe asnjëherë nuk ka punuar”.

Ndonëse komunë e vogël, qeverisja në Mamushë nuk ka arritur që ta zgjidh problemin e ndotjes së lumit që kalon nëpër vendbanime. Kjo pasi që në lumin afër urës së Mamushës që dërgon në pjesën më të madhe të tokave bujqësore, është krijuar një deponi. 

Rajoni i Sharrit ofron mundësi të jashtëzakonshme për zhvillimin e turizmit malor. Por në shumë fshatra të komunës së Dragashit, kanalizimet derdhen nëpër lumenj.

Në anën tjetër, të dhënat e raportit të Ministrisë së Pushtetit Lokal (MPL), për periudhën janar-dhjetor 2019 tregojnë se  nëpër komuna të Kosovës fusha e kanalizimit mbetet në nivel jo të kënaqshëm, me vetë, 36.51%.

Megjithëkëtë në raport thuhet se komunat për çdo vit janë duke implementuar projekte të zgjerimit të rrjetit të kanalizimit, por ka edhe projekte të nisura për ndërtim të impianteve. 

“Pavarësisht kostos, investimet në këtë fushë duhet të jenë prioritet i vazhdueshëm, marrë parasysh rëndësinë e evitimit të faktorëve ndotës të ujit dhe ambientit në përgjithësi”, theksohet në këtë raport.

Gjilani është komuna tjetër që ballafaqohet me ndotje nëpër rrjedha lumenjsh.

Derdhja e kanalizimit në lum te kazerma e FSK-së në Gjilan, Foto: KALLXO.com

Përveç që qytetarët e Gjilanit përballen me mungesë të ujit, ata duhet të durojnë edhe kutërbimin e kanalizimit që derdhet nëpër lumenjtë e kësaj komune.

Banorët që jetojnë në fshatin Malishevë, Pogragjë, Bresalc, Uglar, Livoç të Poshtëm e të tjerët që jetojnë përreth lumit “Mirusha” në rrugën qarkore në Gjilan, vazhdojnë të jetojnë në këto vende ku nuk mund të hapësh dritaren për të marrë ajër të pastër nga kutërbimi i lumenjve.

Kur Lutfi Haziri e kishte marrë mandatin si kryetar i Gjilanit në vitin 2013, ai kishte premtuar që gjatë mandatit të tij do të realizohet projekti për ujëra të zeza.

Por ende banorët në qendër të qytetit dhe në fshatrat e Gjilanit përballen me kutërbimin e lumenjëve nga derdhja e kanalizimit.

Rreth 80% e komunës së Gjilanit ka kanalizim, por i njëjti derdhet në lumenj dhe përrocka.

Me gjithë këto probleme, pronarët gjilanas të tokave të fshatit Uglar, së fundi kanë i dhënë mbështetje  Impiantit të Ujërave të Zeza, në një dëgjim publik që u mbajt më 22 mars të këtij viti, organizuar nga komuna.

Sipas komunës, ekspertët të cilët kanë bërë studimin e fizibilitetit është vlerësuar se impianti duhet të vendoset në bashkimin e lumenjve “Morava”, “Mirusha” dhe “Stanishorka”.

Edhe në Drenas lumi “Drenica” është i ndotur. 

Ngordhja e peshqve në këtë lum si pasojë e ndotjeve është shqetësim tjetër i banorëve të fshatit Qikatovë e Vjetër, që u ngrit në “Debat Pernime”. 

Banorët e këtij fshati po pretendojnë se ndotja po vjen nga kompania për prodhimin e nkelit dhe mineraleve tjera “Feronikeli”, por këtë e ka mohuar kryetari i komunës, Ramiz Lladrovci. 

Veç ndotjes së ajrit, Obiliqit nuk i mungon as ajo e lumenjve. I gjithë rrjeti i kanalizimit të Obiliqit derdhet në dy lumenjtë, në “Llap” dhe në “Sitnicë”.

Në zonën e Obiliqit është edhe liqeni toksik, që në shikim të parë duket si një vend i bukur, me ngjyrë të kaltër, por që në fakt është shumë i rrezikshëm për shkak të kimikateve që përmban.

Uji i këtij liqeni toksik kalon edhe në ujërat nëntokësore që pastaj mund të shfrytëzohet për ujë të pijes apo për ujitje.

Në anën tjetër, nga Qeveria e Kosovës kanë dekaruar se do ta ketë  prioritet ndërtimet e impianteve të ujërave të zeza. 

Ky artikull është mbështetur nga ATRC përmes projektit të mbështetur nga Community Development Fund, “Avokimi dhe Konsolidimi i rrjetëzimit tematik të Organizatave lokale të Shoqërisë Civile”, financuar nga Programi Human Rightivism nga Swedish International Development Cooperation Agency (SIDA), dhe në partneritet me CO-PLAN për zbatimin e projektit “ENV.net factoring the environmental portfolio for WB and Turkey in the EU Policy Agenda” financuar nga Bashkimi Evropian.