Flamuri i Indisë, Foto: Pixabay

Kanadaja i dëbon 6 diplomatë të Indisë

Kanadaja ia ka dëbuar Indisë gjashtë diplomatë, përfshirë një komisionar të lartë, duke i lidhur ata me vrasjen e një lideri separatist sik dhe duke i akuzuar për një përpjekje të madhe për të shënjestruar disidentët indusë në Kanada, ka raportuar agjencia e lajmeve Reuters.

Më herët gjatë ditës, India është hakmarrë duke urdhëruar dëbimin e gjashtë diplomatëve kanadezë, përfshirë një komisionar të lartë, dhe ka thënë se ka tërhequr emisarin e saj nga Kanadaja, duke vënë në kundërthënie deklaratën e Kanadasë për dëbimin.

Përplasja diplomatike përbën një acarim të madh të raporteve ndërmjet dy vendeve anëtare të “Commonwealthit”. Këto raporte janë tendosur prejse kryeministri kanadez, Justin Trudeau, tha vjet se kishte dëshmi që lidhnin agjentët indus me vrasjen e liderit sik, Hardeep Singh Nijjar, në territorin kanadez.

Qeveria tani “ka dëshmi të qarta dhe bindëse se agjentët e qeverisë së Indisë ishin angazhuar dhe vazhdojnë të angazhohen në aktivitete që përbën kërcënim serioz për sigurinë publike”, ka deklaruar Trudeau në një konferencë për media.

Këto aktivitete kishin përfshirë teknika klandestine të mbledhjes së informacioneve, sjellje shantazhuese, duke shënjestruar kanadezët me prejardhje aziatikojugore dhe përfshirje në një mori veprimesh të dhunshme dhe kërcënuese, përfshirë vrasjen, ka thënë ai.

India ka bërë të ditur se u ka kërkuar të shtunën gjashtë diplomatëve kanadezë që të largohen nga vendi, duke përfshirë edhe ushtruesin e detyrës së komisionarit të lartë kanadez në Indi, i cili ishte përfaqësuesi më i lartë diplomatik i shtetit të Amerikës Veriore. Ndërkaq sa për dëbimin e diplomatëve të saj nga Kanadaja, ka thënë se i ka tërhequr për shkak se nuk kishte besim se mund të garantohej siguria e tyre publike.

Kanadaja ka ofruar dëshmi konkrete për lidhjen e këtyre gjashtë diplomatëve me rastin e vrasjes së Nijjarit.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com