Flamuri i Kanadasë, Foto: Qeveria kanadeze
Kanadaja akuzon një ministër të Indisë për komplote në tokën kanadeze
Qeveria kanadeze ka ngritur dyshime se ministri i Brendshëm i Indisë, Amit Shah, aleat besnik i kryeministrit Narendra Modi, qëndronte prapa komploteve për të shënjestruar separatistët sikë në tokën kanadeze, ka raportuar më 30.10.2024 Reuters.
Qeveria e Indisë nuk ka reaguar menjëherë, por më parë i kishte hedhur poshtë si të pabaza akuzat e Qeverisë kanadeze, duke mohuar përfshirjen në këto raste.
Gazeta “Washington Post” ka raportuar së pari se zyrtarët kanadezë akuzuan Shahun, të konsideruar si njeriu i dytë për nga pushteti në Qeverinë e Modit, se qëndronte prapa një fushate të dhunës dhe represionit ndaj separatistëve sikë që jetojnë dhe veprojnë në Kanada.
Zëvendësministri i Jashtëm i Kanadasë, David Morrison, ka thënë se para një paneli parlamentar se ai i kishte thënë gazetës amerikane se Shah qëndronte prapa komploteve.
“Gazetarët më telefonuan dhe më thanë nëse ai person ishte Shahu. Unë konfirmova se ai ishte personi”, ka deklaruar Morrisoni para komisionit parlamentar, pa ofruar më shumë hollësi ose dëhsmi. Komisioni i Lartë i Indisë në Otavë dhe Ministria e Jashtme induse nuk ka reaguar menjëherë pas lajmit.
Ministria e Brendshme e Indisë ka thënë se këtë temë duhet ta trajtojë Ministria e Jashtme.
Kanadaja e kishte njoftuar Indinë për rolin e dyshimtë të Shahut në komplotet që ndodhën gjatë dhjetorit të vitit 2023, ka konfirmuar për Reuters një burim brenda Qeverisë së shtetit aziatik.
India i ka quajtur “terroristë” separatistët sikë. Ata kërkojnë krijimin e shtetit të pavarur të Kalistanit në një hise të territorit të sotëm të Indisë. Një kryengritje kishte shpërthyer në vitet tetëdhjetë dhe nëntëdhjetë, me dhjetëra mija të vrarë.
Kanadaja dëboi në mestetor diplomatë të Indisë, duke e lidhur punën e tyre me vrasjen e liderit separatist sik, Hardeep Singh Nijjar, më 2023 në tokën kanadeze. Edhe India ka urdhëruar dëbimin e diplomatëve kanadezë.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com