Kampi gjerman në Prizren mbushet plot, deri tash të pranuar mbi 500 persona

Kampi Gjerman në Prizren ka përmbushur kapacitet e tij sa i përket strehimit të të prekurve nga tërmeti shkatërrimtar në Shqipëri,

Atualisht aty janë të vendosur mbi 500 persona.

Faruk Dakaj, Drejtor i Emergjencave në Komunën e Prizreni, njëherit koordinator i ekipit  ndër – institucional për Kampin Gjerman, ka thënë se ky kamp nuk ka më kapacitet të pranojë persona tjerë.

Dakaj për KALLXO.com tha se personat e vendosur brenda kampit kanë të gjitha kushtet e nevojshme për qëndrim, duke filluar nga ushqimi që iu shërbehet 3 herë në ditë, ndërsa atyre po iu sigurohet edhe shërbim mjekësor nga Drejtoria e Shëndetësisë në Komunën e Prizrenit.

“ Kemi vullnetarët që po ndihmojnë në  ofrimin e shërbimeve, të gjithë vullnetarët po punojnë në orare të ndryshme, ndërsa në ditët në vazhdim në dakordim me kryetarin Haskuka do t’i drejtohemi edhe organeve qendrore për ndihmën që do të kemi nevojë” tha Dakaj për KALLXO.com.

Edhe Policia e Kosovës po vazhdon të jetë e pranishme në këtë kamp, që në më pak se 48 orë që kur u hap ka përmbushur kapacitetet.

Dakaj tha se edhe sot gjatë ditës ka pasur në vazhdimësi persona që i janë drejtuar kampit për strehim por që janë refuzuar.

Kallxo.com ka raportuar dje se kryetari i Prizrenit Mytaher Haskuka kishte ngritur një shqetësim duke thënë se ka persona që po vijnë nga rrethet që s’janë të prekura nga tërmetet.

Dje Haskuka ka bërë me dije se pos në kampin Gjerman edhe në Prizren nga të dhënat që kanë janë vendosur rreth 150 persona nëpër shtëpi private që kanë ofruar qytetarët për persona që janë dëmtuar nga tërmeti që goditi Shqipërinë.

Me datë 27 Nëntor Qeveria e Kosovës  kishe marrë vendim që ish baza e KFOR-it Gjerman në Prizren t’i rihap dyert për të pranuar viktimat e tërmetit në Shqipëri, kjo u bë në bashkëpunimin me Ambasadën Gejrmanë në Prishtinë, zyrën e GIZ-it, dhe Komunën e Prizrenit.

Tërmeti 6.4 ballësh që e goditi Shqipërinë të martën la mbi 40 të vdekur, qindra të plagosur dhe shumë të tjerë pa strehë.

Ish-baza e KFOR-it në Prizren e gatshme për të pranuar deri në 800 persona nga Shqipëria