Kamerat ilegale në veri, ende asnjë inspektim nga AIP

Janë me dhjetëra kamera të sigurisë të vendosura në lokacione të ndryshme në tri komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, të cilat monitorojnë çdo lëvizje të kësaj zone.

Një hulumtim i KALLXO.com kishte zbardhur se asnjëra nga këto kamera që janë të vendosura në rrugët e Zubin Potokut, Zveçanit e Mitrovicës Veriore nuk kontrollohen nga institucionet e Kosovës.

Kanë kaluar dy muaj nga ky hulumtim dhe ende nuk dihet se nga kush kontrollohen këto kamera.

Kjo pasi Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) deri në këtë periudhë ende nuk ka kryer ndonjë inspektim në këtë zonë.

“Deri në këtë periudhë Agjencia nuk ka kryer inspektim në Mitrovicën e Veriut”, ka qenë përgjigja e tyre duke shtuar se AIP deri më tash ka filluar dhe ka kryer inspektime në disa komuna siç janë: Prishtina, Graqanica, Gjilani, Gjakova, Peja.

Inspektimet sipas Agjencisë nuk kanë ndodhur për shkak të numrit të kufizuar të stafit.

“Pas rekrutimit të stafit të nevojshëm, për të cilën Agjencia tani më ka filluar procedurat, do të rishikoj planin e inspektimeve dhe me këtë rast do të shtrijë inspektimet në tërë territorin e Kosovës, në koordinim me institucionet tjera kompetente të sigurisë”, thuhet tutje.

AIP po ashtu ka treguar se sipas planit vjetor të performancës 2022 është realizimi i inspektimeve në disa komuna, ku janë nxjerrë edhe vendimet në bazë të të gjeturave.

Një vendim që ka nxjerr AIP është që përpunimi i të dhënave përmes sistemit të vëzhgimit me kamerë të bëhet nga institucionet kompetente, në këtë rast Policia e Kosovës bazuar në kompetencën ligjore të Ligjit për Policinë.

Ky vendim është marr pasi është vërejtur se mbikëqyrjen e kamerave e kanë bërë organet komunale.

Çështja e kamerave të veriut ka qenë temë diskutimi edhe në raportimin e Drejtorit të Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti para Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes.

Mehmeti ishte pyetur se deri ku kishte ecur procesi i hetimit për këtë çështje.

Ndërsa përgjigja e tij ishte se kjo është detyrë e Agjencisë.

“Për kamerat në veri jemi duke punuar me AIP-në, është detyrë e tyre vendosja e kamerave dhe për privatësinë që e cenojnë ato. Në momentin që kërkohet mbështetja e jonë operacionale jemi të gatshëm”, ishte përgjigjur Mehmeti para Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes.

Pretendimet kryesore për vendosjen e këtyre kamerave të sigurisë të vendosura nëpër rrugë, objekte e pompa të derivateve, është se të njëjtat mbikëqyren nga strukturat paralele të vendosura në zonën veriore të vendit.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu më 23 shkurt 2022 gjatë një konference për media ishte pyetur nëse Qeveria ka marrë ndonjë veprim për kamerat ilegale në veri të Kosovës.

Por, ajo nuk iu ishte përgjigjur kësaj pyetje.

“Unë nuk mund të flas në detaje në raport me këtë, dhe jam shumë e bindur që institucionet përgjegjëse do të marrin veprimet në përputhje me kompetencat që kanë”, pati thënë ajo.

Vetëm një ditë më pas, Kryeministri i vendit, Albin Kurti, kishte thënë se Ministria e Punëve të Brendshme është duke u marrë me çështjen e kamerave ilegale të sigurisë të vendosura në veri të vendit.

Kurti nuk kishte dhënë detaje se çka konkretisht është duke u bërë në këtë drejtim.

“Ministria e Punëve të Brendshme është aktivisht duke u marr me këtë çështje dhe padyshim që ata do t`ua japin përgjigjen për çdo gjë që kanë ndërmarrë lidhur me këtë çështje”, tha Kurti.

Në anën tjetër, ish ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, në emisionin “Kallxo Përnime” për këto kamera kishte thënë se ekziston dyshimi i bazuar që kanë të bëjnë me vepra penale.

Kryeredaktori i KALLXO.com dhe gazetari hulumtues, Kreshnik Gashi në po të njëjtin emision kishte treguar se pse është e rëndësishme të dihet se kush i menaxhon dhe mbikëqyrë këto kamera.

“Është fakti se në shumicën e rasteve Policia e Kosovës në atë zonë kur ka pasur intervenime dhe kur ka pasur ndërhyrje, kemi pasur akuza dhe kundërakuza për rrjedhje të informacioneve dhe për faktin që njerëz të caktuar e kanë kuptuar që Policia po shkon në drejtim të tyre”, kishte thënë Gashi.