Kamenicë, ministri Matoshi përuroi fillimin e dy projekteve në vlerë mbi 1 milion euro

Në Kamenicë ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, ka përuruar fillimin e punimeve për dy projekte tjera në fushën e mjedisit –  rregullimi i shtratit të lumit Krivareka – faza e parë, në vlerë prej 900 mijë euro dhe pastrimi i shtratit të lumit Katushnicë – Karaqevë, në vlerë 150 mijë euro.

Ministri Matoshi ka thënë se projekti i rregullimit të shtratit të lumit Krivareka synon që ta kthejë në gjendje më të mirë këtë lumë,  pasi që do të pajiset me infrastrukturën e nevojshme përcjellëse.

“Në kuadër të këtij projekti parashihet pastrimi i plotë i tij, rregullimi i infrastrukturës përcjellëse, asfaltimi i anësorëve, shëtitoreve për  këmbësorët, biçiklistat, ndriçimi përgjatë lumit, ulëse etj”, citohet të ketë thënë ai.

Tutje në komunikatën e lëshuar nga Ministria bëhet  ditur se Matoshi ka marrë pjesë edhe në fillimin e projektit për pastrimin e lumit në Katushnicë.

“Ne sot kemi filluar edhe pastrimin e shtratit të lumit nga Katushnicë deri në Karaqevë të Ulët. Ka një gjatësi prej mbi 5 km, është po ashtu një lum i degraduar i mbushur me mbeturina dhe ku projekt parasheh pastrimin e tij, zgjerimin e shtratit të lumit dhe krijimin e kushteve më të mira për ujë më të pastër për banorët e kësaj zone”, citohet të ketë thënë ministri në detyrë.