Foto: Glauk Konjufca, Facebook

Kamenicë: LVV, PDK dhe AAK dënohen me nga 2,000 euro

Tubimi i sotëm në Kamenicë, Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) i ka kushtuar me një gjobë prej 2,000 eurove nga Drejtoria e Inspektoratit për shkak të mosrespektimit të masave anti COVID-19.

Sipas kësaj Drejtorie, në tubimin e sotëm të mbajtur në sheshin “Metush Krasniqi’ në Kamenicë kanë qenë afërsisht rreth 500 persona.

Në fotografitë e publikuara në Facebook nga kandidati për deputet, Glauk Konjufca, shihet një numër i madh i qytetarëve të cilët nuk mbajnë as maska e as distancën sociale.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Meriton Ramabaja, shef i kabinetit të kryetarit të Komunës, Qëndron Kastrati, ka thënë se përveç LVV-së, janë dënuar edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) si dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK).

Më 5 shkurt, AAK-ja është dënuar më gjobë 2,000 euro për mosrespektim të masave anti COVID-19 gjatë tubimit i cili është mbajtur në një hapësirë të mbyllur me rreth 200 persona.

Po në këtë datë është dënuar edhe PDK-ja për tubimin e organizuar në hapësirë të mbyllur me rreth 300 persona.