Komuna e Kamenicës. Foto: Kallxo.com

Kamenicë, intervenohet në një urë, ftohen banorët e 3 fshatrave të kenë kujdes

Komuna e Kamenicës ka njoftuar se nesër do të fillojë intervenimi në urën që lidh fshatrat Desivojcë, Tërstenë dhe Velegllavë.

Për këtë arsye Komuna u ka bërë thirrje banorëve të këtyre fshatrave që ta shtojnë kujdesin gjatë qarkullimit.

Tutje është bërë e ditur se ky intervenim bëhet në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Po ashtu, Komuna ka njoftuar se Drejtoria e Shërbimeve Publike, Ambientit dhe Inspektoratit dhe Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim sot kanë intervenuar dhe kanë sanuar problemet në urën që gjendet në rrugën që çon drejt Moqares dhe disa lokaliteteve të tjera, Berivojcë, Lisockë e Desivojcë.

“Këto probleme vijnë si pasojë e reshjeve të dendura të shiut, por problemi tashmë është zgjidhur. Nesër por edhe në ditët në vazhdim, drejtoritë përkatëse do të vazhdojnë edhe me kontrollimin dhe sanimin e problemeve të tjera, të ngjashme. Intervenimin në rrugën e Moqares e ka kryer Kompania TEUTA-M, të cilën e falënderojmë” – thuhet në njoftimin e Komunës.