Kamenicë - Inspektorati mbyll përkohësisht 'Viva Fresh Store'

Inspektorati në Kamenicë sot ka mbyllur përkohësisht maketin “Viva Fresh Store” për shkak të mosrespektimit të vendimit të Qeverisë së Kosovës për mbajtjen e distancës sociale në markete.

Sipas njoftimit të Komunës biznesi në fjalë nuk ka respektuar këto pika të vendimit të qeverisë:

2.3. të sigurojë se personat brenda lokalit rrinë larg njëri-tjetrit të paktën një (1) metër;

2.4. të sigurojë se lokali nuk është stërmbushur aq sa njerëzit brenda të mos mund të rrinë larg njëri-tjetrit të paktën një (1) metër;

2.5. të sigurojë se blerësit presin në radhë ose rrinë jashtë lokalit deri t’u vijë radha për të blerë.

Kryetari i Kamenicës Qëndron Kastrati ka thënë se ata që nuk zbatojnë vendimet e dhëna nga qeveria për parandalimin dhe përhapjen e virusit VOCID-19 do të ndëshkohen konform rregullave.

“Tani asgjë nuk ka më shumë rëndësi se siguria e qytetarëve dhe kushdo që nuk zbaton këto vendime, do ndëshkohen konform rregullativës ligjore”, citohet të ketë thënë Kastrati.

Sipas njoftimit Inspektorati komunal gjatë gjithë kohës është në terren duke inspektuar të gjitha bizneset lidhur me zbatimin e masave të vendosura nga niveli qendror.

“Komuna u bënë thirrje të gjitha bizneseve dhe qytetarëve që të respektojnë masat e vëna nga Qeveria e Kosovës në lidhje me parandalimin e virusit COVID-19, në mënyrë që të mos detyrohemi të ndërmarrim veprime konform ligjeve”, theksohet në njoftim.

Në Komunën e Kamenicës aktualisht janë 13 persona të infektuar me coronavirus, të gjithë këta janë nga fshati Topanicë i cili tash e disa ditë është vendosur në karantinë.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në adresë të ‘Viva Fresh Store”, mirëpo deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk ka pranuar përgjigje.