Foto: Afrim Ejupi/KALLXO.com

Kamenicë, i dyshuari plagos me armë zjarri një person në vendpunishte

Një vrasje në tentativë ka ndodhur të mërkurën rreth orës 2:35 në Kamenicë.

Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës, një burrë ka raportuar se në vendpunishten ku ai po punonte ka vërejtur një person të panjohur duke tentuar që të kryejë vjedhje në këtë vend punishte.

Sapo viktima e ka pyetur se “kush jeni ju?”, i dyshuari ka shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimës me ç’rast e ka plagosur.

I dyshuari ka ikur nga vendi i ngjarjes ndërsa viktima është duke u trajtuar në spitalin rajonal të Gjilanit dhe gjendja e tij është stabile, thekson policia.

Policia ka njoftuar se në vendin e ngjarjes kanë gjetur dhe sekuestruar për procedura të mëtutjeshme hetimore një gëzhojë.

Ndërkaq, në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit, gjersa rasti është në procedurë hetimore.