Gjykimi i Nuhi Mavrovqanit - Foto: KALLXO.com

Kamenicë, i akuzuari për vrasjen e gruas do të mbrohet në heshtje

Nuhi Mavrovqani, i akuzuar se e ka vrarë gruan e tij në Kamenicë, sot ka dalë para gjykatësit në Gjilan për t’u përballur me aktakuzën e Prokurorisë, e cila e ngarkon me veprën penale të vrasjes së rëndë.

Ai tha se do të mbrohet në heshtje në të gjitha fazat e procedurës.

“Jam konsultuar me avokatin tim dhe do ta shfrytëzoj të drejtën time që të mbrohem në heshtje në të gjitha fazat e procedurës”, tha në fillim i akuzuari Mavrovqani.

Tutje në seancë duke dhënë fjalën hyrëse prokurori Arben Ismajli tha se pasi kanë pranuar informatën për kryrjen e veprës penale     kanë filluar menjëherë grumbullimin e provave.

“Gjatë grumbullimit të informatave kemi ardhur në përfundim se i akuzuari e ka kryer këtë vepër penale. Deri në fund të shqyrtimit gjyqësor do të vërtetohet se i akuzuari e ka kryer veprën penale”, tha prokurori Ismajli.

Kurse Arsim Vranovci, avokati i të akuzuarit, tha se kërkon nga Gjykata që pranimi i fajësisë të pranohet nga Gjykata, pasi që i akuzuari vrasjen e ka kryer pa qëllim.

Tutje u dëgjua Imri Reka, vëllai i të ndjerës, Sabile Mavrovqani, i cili tha se Nuhiu dhe motra e tij kanë pasur probleme edhe më parë.

“Kishin pasur probleme edhe para se me ndodh rasti por mua nuk më kanë treguar. Këta i kanë pasur tre fëmijë, dy vajza dhe një djalë, i cili në kohën kur ka ndodhur rasti i ka pasur 1 muaj e 10 ditë. E ndjera asnjëherë nuk më ka treguar se ka probleme me burrin e saj. Pasi e kam marrë trupin e motrës nga morgu në Prishtinë, i kam treguar vëllait të Nuhiut se do ta varros motrën në fshatin tonë, pasi kisha dëshirë që fëmijët të shofin nënën e tyre për herë të fundit”, tha dëshmitari Reka.

Dëshmitari tjetër, Basri Mavrovqani, i cili të akuzuarin e ka vëlla, tha se Nuhiu e ka thirrur në telefon dhe i ka thënë se Sabilja ka vdekur.

“Unë kam qenë në mal dhe më ka thirr Nuhiu, më tha se ka vdekur Sabilja, por nuk e pyeta se si ka vdekur. Menjeherë jam kthyer në shtëpi dhe pas pak kanë ardhur Policia dhe më kanë thënë se duhet me shku në Polici për të dhënë deklaratë. Pasi jam njoftuar nga Nuhiu për rastin i kam thënë vëllait tjetër, Rexhepit, që mos të hyjë në shtëpinë e Nuhiut, sepse Nuhiu dhe Sabilja ishin rrahur dhe se Sabilja ka vdekur”, tha dëshmitari Basri Mavrovqani.

Tutje u dha edhe fjala përfundimtare e palëve ku prokurori Arben Ismajli tha se kërkon nga Gjykata që të akuzuarin ta shpallë fajtor dhe ta dënojë me një dënim sipas ligjit.

Kurse Arsim Vranovci, avokat i të akuzuarit, kërkoi nga Gjykata qe të ketë parasysh si rrethanë lehtësuese faktin se i akuzuari e ka pranuar fajësinë anipse Gjykata nuk e ka aprovuar atë pranim.

Kujtojmë se i akuzuari në seancën fillestare të datës 1 tetor e kishte pranuar fajësinë pjesërisht, por që Gjykata e kishte refuzuar këtë pranim të fajësisë.

Sipas dosjes së Prokurorisë, i akuzuari i ka shkaktuar bashkëshortes plagë të hapura vdekjeprurëse dhe thyerje në anën e majtë të kokës.

Tutje sipas Prokurorisë, Nuhi Mavrovqani veprën penale e ka kryer duke e goditur bashkëshorten e tij me shufër metalike fillimisht në anën e majtë të kokës, duke e rrëzuar në tokë, ndërsa kishte vazhduar duke e goditur në kokë dhe në pjesë të tjera të trupit, po ashtu me shufër metalike.

Vendimi lidhur me këtë rast do të shpallet më 4 dhjetor.