Kamenicasit i shkojnë në derë Ministrit të Arsimit për të kundërshtuar reformën në arsim nga Qëndron Kastrati

Përfaqësues të Këshillit të Prindërve nga Komuna e Kamenicës kanë mbajtur një aksion simbolik  para Ministrisë së Arsimit për të kundërshtuar reformën ose riorganizimin e shkollave nga autoritetet komunale të Kamenicës.

Me pankarta të cilat mbanin mbishkrimet ‘nuk kemi fëmijë për eksperiment’, ‘dua shkollën në vendlindjen time’, ‘asnjë vendim pa komunitetin’, ata kanë qëndruar para hyrjes së MASHT-it.

Përfaqësuesit e Këshillit të Prindërve kanë kërkuar nga Ministri i Arsimit, Ramë Likaj që t’i pranojë ata në një takim.

Ky aksion është në mesin e shumë aksioneve dhe protestave të cilat kanë mbajtur prindërit e disa fshatrave të Kamenicës për të kundërshtuar reformën ose riorganizimin e shkollave në këtë komunë, nismë kjo e kryetarit Qëndron Kastrati.

Kjo iniciativë kishte filluar vitin e kaluar dhe ishte kundërshtuar nga të gjitha fshatrat e Komunës.

Në kuadër të këtij riorganizimi ishte planifikuar që cikli i ulët klasa 1-5 dhe cikli i lartë klasa 6-9 të ndahen në objekte të veçanta.

Me vendimin për riorganizim parashihej mbyllja e 19 shkollave në këtë komunë.

Rezistencë karshi ‘reformës’ pati nga të gjitha anët, madje prindërit e fshatrave Topanicë e Koretin nuk lejuan që fëmijët e tyre të udhëtonin me autobus.

Për këtë Komuna e Kamenicës kishte paditur 23 prindër, me arsyetimin që nuk janë kujdesur për shkollimin e detyrueshëm të fëmijëve të tyre, padi e cila më vonë është hedhur poshtë nga Gjykata Themelore në Gjilan.

Ndërsa ditë më parë Avokati i Popullit ka publikuar një raport i cili ka konstatuar se vendimet e kryetarit të Kastrati janë në kundërshtim me dispozitat ligjore dhe standardet e përcaktuara nga MASHT-i, duke kërkuar rishikim të vendimit.