Kamenica nga shtatori me shkollë të muzikës

Komuna e Kamenicës nga shtatori do të bëhet me shkollë të muzikës.

Këtë e ka bërë të ditur kryetari i Komunës, Qëndron Kastrati.

Përmes një postimi në Facebook ai ka bërë të ditur se bashkë me kryetarin e Gjilanit, Lutfi Haziri, dhe dy drejtorët e Arsimit kanë nënshkruar marrëveshje që dega e shkollës së muzikës të fillojë funksionin edhe në Kamenicë.

“Zyrtarisht shkolla e muzikës nga shtatori edhe në Kamenicë. Me kryetarin e Gjilanit, Lutfi Hazirin dhe drejtorët e arsimit nga dy komunat nënshkruam marrëveshjen që dega e shkollës së muzikës të filloj funksionimin edhe në Kamenicë,” ka shkruar Kastrati.

Ai tutje ka shtuar se nxënësit nuk do kenë më nevojë të bëjnë shpenzime për të udhëtuar në qytet tjetër sepse këtë shkollim do e ndjekin në komunën e Kamenicës.

“Nxënësit që kanë vijuar mësimin në Gjilan, tani do të kenë mundësinë që shkollimin në këtë fushë ta ndjekin në komunën tonë, pa u shkaktuar shpenzime për të udhëtuar në një qytet tjetër,”ka shtuar tutje Kastrati.

Kryetari i Kamenicës ka falënderuar homologun gjilanas për bashkëpunim dhe shpreson se marrëveshje të tilla ndërkomunale do përmirësojnë mirëqenien e qytetarëve.