default

Kamenica ia sheh sherrin vendimit të MMPHI-së, i 'humbë' 1.4 milion euro

Komunës së Kamenicës iu kanë pezulluar dy projekte infrastrukturore në vlerë 1.4 milion euro, të cilat janë nënshkruar me ministrin paraprak të Infrastrukturës Arban Abrashi, përmes një Memorandumi Bashkëpunimi.

Këto projekte janë pezulluar nga zëvendësministri aktual i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi.

Durmishi ka njoftuar se do të pezullojnë të gjitha memorandumet që janë nënshkruar me komunat në muajt janar, shkurt dhe mars të vitit 2021.

Kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati, ka thënë për KALLXO.com, se këto projekte ishin shumë të rëndësishme për banorët e kësaj ane dhe nuk e sheh të arsyeshme pezullimin e tyre.

“Ne kemi nënshkruar Memorandum Mirëkuptimi për financimin e dy projekteve infrastrukturore me ministrin paraprak, të cilat kanë vlerën prej rreth 1.4 milion eurove. Është fjala për projektet ‘Ndërtimi i rrugës Hogosht – Shipashnicë e Poshtme’ dhe ‘Rregullimi i rrugëve në Malësinë e Kamenicës’. Asfaltimi i rrugës ‘Feriqevë – Gjyrishec’, të dyja këto projekte tejet të rëndësishme për banorët e kësaj zone e sidomos Kamenicën, e cila për vite me radhë ka qenë e anashkaluar nga niveli qendror”, ka thënë Kastrati.

Sipas tij pezullimi i këtyre dy projekteve nga zëvendësministri Durmishi, nuk është aspak i arsyeshëm, duke shtuar se Kamenica, historikisht është përballur me këtë qasje nga secila qeveri.

Kastrati ka treguar se këto projekte nuk janë paraparë në projektbuxhetin komunal, pasi ministria është dashur t’i siguroj mjetet për projektet në fjalë.

“Obligimet e secilës palë janë të qarta në Memorandum, ku thuhet se Ministria e Infrastrukturës do t’i siguroj mjetet për projektet në fjalë dhe si e tillë nuk parashihet në projektbuxhetin komunal, përderisa nuk ka bashkëfinancim”, përfundoi Kastrati.

Më 12 maj të këtij viti, zëvendësministri i MMPHI-së, Hysen Durmishi, ka bërë të ditur se janë pezulluar të gjitha memorandumet të nënshkruara me komuna të lidhura gjatë muajve në janar, shkurt dhe mars të vitit 2021.

Ish ministri Abrashi, para përfundimit të mandatit të tij, kishte realizuar memorandume bashkëpunimi edhe me disa komuna të tjera.

Sipas lajmeve të publikuara në web faqen e Ministrisë, ish ministri Abrashi kishte nënshkruar memorandume edhe me Komunën e Fushë Kosovës, Komunën e Ferizajt, Komunën e Gjakovës, Komunën e Lipjanit, Komunën e Istogut, Komunën e Vitisë, Komunën e Klinës, Komunën e Pejës.