Kamberi - Vuçiqit: Rruga juaj drejt Shqipërisë kalon nëpër Kosovë

Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi i ka reaguar presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, i cili deklaroi se “janë të domosdoshme marrëdhëniet e mira me shqiptarët”.

Lidhur me këtë deklarim, Kamberi përmes një shkrimi në rrjetin Facebook i drejtohet Vuçiqit se këto fjalë i’a ka thënë edhe në debatin parlamentar rreth dialogut me Kosovën.

Kamberi po ashtu përmendi edhe deklarata tjera të tij që, riciklimi i terminologjisë së viteve 80-ta e 90-ta nuk ka vend në dialogun për pajtim, por që nevojitej një qasje e re.

Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë i ka bërë prapë thirrje Presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiq që të heq dorë nga imagjinatat për Kosovën dhe të pranojë realitetin, pasi vetëm atëherë do mund të flitet për miqësi.

Sipas Kamberit, deri të arrihet një miqësi e tillë, Vuçiq duhet të kuptojë faktin e pamohueshëm që rruga e tyre drejt Shqipërisë kalon nëpër Kosovë.

Më poshtë gjeni reagimin e plotë të deputetit Shaip Kamberit.