Protesta në Bujanoc, 12.08.2024
Kamberi: Qeveria në Beograd po refuzon të respektojë të drejtat tona
Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi para protestuesve shqiptarë të Luginës së Preshevës, në sheshin e Bujanocit i ka treguar arsyet se pse po protestojnë sot më 12.08.2024.
Sipas deputetit Kamberi, Qeveria e Serbisë po refuzon t’i respektojë të drejtat e shqiptarëve dhe t’i integrojë ata në organet shtetërore në mënyrë të barabartë.
“Pse protestojmë, pse shtrojmë kërkesat tona këtu në sheshin ‘Skëndërbej’, të cilin ne e kemi emëruar ashtu, ndërsa Qeveria në Beograd na ka mohuar. Jemi këtu, sepse Qeveria qendrore në Beograd po refuzon të respektojë të drejtat tona, po refuzon të na integrojë në organet shtetërore në mënyrë të drejtë e të barabartë, sepse nuk na njeh diplomat. Po na pasivizion, po na diskriminon, po na ngushton hapësirat elementare për jetë normale, po refuzon të respektojë tri marrëveshjet e nënshkruara me përfaqësuesit shqiptarë të ndërmjetësuara me Beogradin – 2001, 2009, 2013” – ka thënë Kamberi, më 12.08.2024.
Sipas Kamberit, Qeveria e Serbisë në Luginën e Preshevës po shkelë rëndë vlerat më elementare të Bashkimit Europian: paqen, demokracinë, të drejtat e njeriut, të drejtat e pakicave, drejtësinë, barazinë para ligjit, sundimin e së drejtës.
Një numër i madh i qytetarëve shqiptarë të Luginës së Preshevës kanë protestuar sot më 12.08.2024, duke filluar nga ora 11:00 në sheshin e Bujanocit.
Në protestë janë para qytetarë me pankarta “Duam libra shqip”, “Të shtypur po të nënshtruar jo”, “Stop pasivizimit selektiv”, dhe të tjera.
Përveç Kamberit, në protestë është parë edhe kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani.
Sinani u ka bërë thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në këtë protestë, një ditë më parë.
“Të dalim bashkë, pa dallim. Të ngrisim zërin tonë. Për Identitet e dinjitet. Zërin e shqiptarëve të diskriminuar” – ka shkruar Sinani në Facebook, më 11.08.2024.
Këshilli Organizativ i Protestës “Për Identitet dhe Dinjitet”, tha që po protestojnë për shumë arsye e që emërues të përbashkët ka trajtimin si qytetarë të dorës së dytë.
Disa nga arsyet e protestimit të dhëna nga Këshilli Organizativ janë: marrëveshjet e mbetura në letër e obligimet që asnjëherë nuk u përfunduan; për pasivizimin selektiv të adresave; për mungesën e teksteve në gjuhën shqipe;për dyert e mbyllura të institucioneve shtetërore; për mundësitë e mohuara; për shanset e humbura.
Deputeti Kamberi në prag të protestës tha se po përballen me një valë të re presioni dhe intimidimi të nga ana e Policisë dhe organeve ligj – zbatuese në Bujanoc e Vranjë.
Kamberi përmes një postimi në Facebook, tha se një qytetar është arrestuar për shkak të një komenti lidhur me protestën e paralajmëruar, në profilin e facebookut të portalit lokal “Bujanovaçke” për vepër penale “nxitje të urrejtjes ndërnacionale”
“Padyshim nuk duhet shprehur mirëkuptim për nxitjen e dhunës apo urrejtjes, sidomos kur kjo ndodh në një komunë multietnike, siç është Bujanoci, ku edhe ashtu raportet janë të ndërlikuara”- kishte shkruar Kamberi, më 09.08.2024.
Problemi i pasivizimit të adresave është përmendur edhe në Raportin e Progresit të Komisionit Europian, pjesa për Serbinë, kur është përmendur respektimi i të drejtave të minoriteteve.
Në raportin për vitin 2022 përmendet edhe që pjesëtarët e pakicës shqiptare kanë shprehur shqetësim për mënyrën se si kontrollohet adresa e tyre e banimit.
“Ekziston nevoja që autoritetet të sqarojnë më mirë për publikun si kryhen këto kontrolle”- është thënë mes tjerash në raport.
Në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit, për vitin 2022, është përmendur se praktika e pasivizimit të adresave në Serbi, konsiderohet veprim kontrovers.