Kamberi përmend presionin që po bëhet ndaj drejtuesve shqiptarë të institucioneve publike në Serbi

Deputeti Shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka reaguar pasi ftesa për intervistim e ish-likuiduesit të ndërmarrjes për ndërtim të Komunës së Bujanocit është quajtur si “arrestim”.

Sipas Kamberit, ky person është shoqëruar në polici me qëllim të intervistimit rreth mosshlyerjes së borxheve të qirasë, të disa shfrytëzuesve të hapësirës publike në Bujanoc. Por sipas tij ky veprim është paraqitur si arrestim nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Këtë gjë deputeti e ka cilësuar si “mosdije profesionale, apo tendencë qëllimkeqe për frikësim”.

“Edhe pse për t’u intervistuar do të mjaftonte një ftesë e zakonshme, organet e shtetërore përsëri zgjodhën metodën e pakuptimtë të shoqërimit deri në prokurori, të ish-drejtorit, ndërsa MPB lëshoi deklaratë se është fjala për arrestimin e tij”, ka thënë ai përmes një njoftimi në Facebook.

Tutje, në reagimin e tij Kamberi ka thënë se një veprim i tillë i i ngjanë “një presioni tanimë të shpeshtuar politik” para zgjedhjeve.

“I gjithë ky spektakël natyrisht përfundoi me mbarimin e intervistimit dhe personi i “arrestuar” doli të jetë shoqëruar vetëm për intervistim. Në esencë, fjala është për tentativë të vazhdueshme të presioneve që po i bëhen drejtuesve shqiptarë të institucioneve publike” ka shkruar ai.