Kamberi: Kërkojmë që çështja e shqiptarëve të Luginës të jetë pjesë e dialogut

Përfaqësuesit politik dhe institucional të tri komunave në Luginë të Preshevës kanë kërkuar trajtim të barabartë të të drejtave të shqiptarëve në Serbi.

Përmes një deklaratë të përbashkët ata kanë kërkuar përfshirjen e çështjes së shqiptarëve të Luginës në bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Kështu ka njoftuar, deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, teksa ka thënë se Shqiptarët e Luginës së Preshevës nuk guxojnë të mbeten pakica e vetme e cila, vazhdon të stagnojë në realizimin e të drejtave të saja.

“Duhet angazhim i përbashkët e koordinim i shpeshtuar në mënyrë që çështja e Luginës të trajtohet e të drejtat e shqiptarëve të realizohen në tërësi. Dialogu Kosovë -Serbi është mundësia më e mirë që kjo temë të trajtohet”- ka thënë ai.

Përfaqësuesit politik të tri komunave në Luginë të Preshevës këtë kërkesë e kanë adresuar të Bashkimi Evropian, dhe përfaqësuesi i departamentit të shtetit amerikan, Gabriel Escobar.

Kërkesë tjetër është edhe respektimi i plotë i të drejtave të shqiptarëve, sipas standardeve më të larta, të parapara nga OKB.

Po ashtu, në deklaratë thuhet se kërkojnë edhe ngritje të monitorimit ndërkombëtar të pozitës së shqiptarëve në Luginë të Preshevës.

Foto: Shaip Kamberi
Foto: Shaip Kamberi