Kamberi: Gjykata e Beogradit i jep të drejtë fyerjes institucionale ndaj shqiptarëve

Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka njoftuar se Gjykata e Lartë në Beograd e ka hedhur poshtë padinë e Këshillit Kombëtar Shqiptar ndaj ministrit të Brendshëm të Serbisë, Aleksandar Vulin.

Kamberi përmes një postimi në Facebook ka bërë thirrje që BE-ja, ShBA-ja dhe vendet e rajonit të reagojnë ndaj  këtij “precedenti të rrezikshëm” për minoritetet në Ballkan.

“Duke e cilësuar padinë e Këshillit Kombëtar Shqiptar si të pabazuar, Gjykata i ka dhënë tashmë edhe fuqi juridike institucionalizimit të gjuhës së urrejtjes, mosdurimit dhe ksenofobisë ndaj shqiptarëve në përgjithësi, e atyre në Serbi në veçanti.  Kjo nuk ka ndodhur as në kohën e Sllobodan Millosheviqit”, ka shkruar ai.

Kamberi ka paralajmëruar në cilësinë e shefit të Grupit Parlamentar “Lugina e Bashkuar-SDA Sanxhak” do të ndërmarrë veprime institucionale në nivel shtetëror dhe ndërkombëtar.

“Ftoj autoritetet e Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të vendeve të rajonit, që të reagojnë ndaj Beogradit për ta ndaluar institucionalizimin tashmë edhe juridik të gjuhës së urrejtjes ndaj minoriteteve në Serbi”, ka theksuar ai.

Tutje Kamberi ka shtuar se ‘Vendimi i sotëm i Gjykatës së Lartë në Beograd është precedent tepër i rrezikshëm për minoritetet në Serbi, por edhe në tërë Ballkanin Perëndimor’.

Më 29 qershor 2019, Këshilli Kombëtar Shqiptar ka ngritur padi ndaj ministrit (atëherë) të Mbrojtjes të Serbisë, Aleksandar Vulin, për përdorimin e gjuhës së urrejtjes ndaj shqiptarëve.

Këshilli Kombëtar Shqiptar paditë Vulinin