Kamberi dorëzon propozimin për të ndryshuar ligjin që të lejohet përdorimi i flamurit shqiptar

Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka bërë të ditur se ka dorëzuar propozimin për ndryshimin e Ligjit për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të pakicave.

Sipas Kamberit, me propozimin e ri, ka kërkuar ndryshimin e plotë të nenit 14, për eliminimin e pengesave për përdorimin e simboleve, me propozimin që simbolet e pakicave të përdoren lirshëm dhe zyrtarisht gjatë tërë vitit në institucionet e vetadministrimit lokal dhe organet shtetërore në të gjitha komunat në të cilat gjuha e pakicave është gjuhë zyrtare.

Siç e ka cituar edhe Kamberi, neni 14, alinea 2 e këtij Ligji ndalon përdorimin e simboleve kombëtare “nëse janë identik me simbolet e shtetit tjetër”.

“Në rastet e komunave ku pakicat përbëjnë më pak se 5% të strukturës etnike, me këtë propozim kërkohet lejimi i përdorimit të flamurit në festat kombëtare të pakicave nacionale” – ka shkruar deputeti shqiptar.

“Propozimin për ndryshimin e këtij Ligji e kanë përkrahur edhe kolegët e mi deputet, Enis Imamoviq dhe Selma Kuçeviq nga SDA e Sanxhakut dhe deputeti i pavarur Aleksandar Olenik” – shtoi ai.