Foto ilustruese: Pixabay

'Kamatat e larta', deputetët i kërkojnë sqarime guvernatorit të BQK-së

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti dhe përfaqësues të tjerë të BQK-së kanë prezantuar raportin e shpenzimeve për vitin 2021 në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere.

Guvernatori Mehmeti tha se vendi vitin e kaluar ka shënuar rritje të lartë ekonomike ndërsa theksoi se inflacioni këtë vit pritet të shënojë ende rritje.

“Ekonomia e Kosovës ka shënuar rritje të lartë në vitin 2021. Sipas, Agjencisë së Statistikave të Kosovës, rritja ekonomike ka qenë 10.7%. Sipas Bankës Evropiane Qendrore vitin e kaluar në eurozonë është vlerësuar të ketë qenë 5.6%,  ndërsa këtë vit pritet të jetë 3.7%. Këtu kanë ndikuar lufta në Ukrainë dhe inflacioni i cili pritet të arrij deri në 10.4%”, tha ai.

Gjatë diskutimeve deputetët u shprehen të shqetësuar sipas tyre me kamatat e larta të institucioneve bankare dhe mikrofinanciare në Kosovë.

Avdullah Hoti nga Lidhja Demokratike e Kosovës tha se kamatat e larta të këtyre institucioneve janë dështim për Bankën Qendrore të Kosovës.

Ndërsa Eman Rrahmani nga Lëvizja Vetëvendosje shtroi pyetjen nëse ka ndonjë mekanizëm për përcaktimin e marzhës së fitimit për institucionet bankare apo mikrofinanciare.

“A keni ndonjë lloj mekanizmi që me i kontrollu marzhën e fitimit të këtyre institucioneve? Kamatat janë shumë të larta. Kreditë në Kosovë kryesisht merren nga ekonomitë familjare dhe bujqit. Mendoj që duhet të ketë diçka që kufizon marzhën e fitimit, fitimit maksimal të këtyre institucioneve”- tha Rrahmani.

Ndërkaq, guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti tha se norma e interesit në institucionet mikrofinanciare është 19.4%.

“Norma e interesit në institucionet mikrofiancare ende nuk është shumë e lartë, ajo është 19.4%. Ne si BQK në asnjë mënyrë nuk kemi dashtë të japim mesazh për rritjen e normës së interesit, por ju e dini që Kosova ka ekonomi të varfër”- tha Mehmeti.

Bajra: BQK në Kosovë është entitet joproduktiv, kamatat e larta janë të papranueshme