Arkiv

Kalon rezoluta nga Interpelanca e ministrit të Arsimit dhe Shkencës Ramë Likaj

Kuvendi i Kosovës ka miratuar me 62 vota për rezolutën e harmonizuar nga Interpelanca e ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj, sipas kërkesës së nënkryetares së Kuvendit, Arberije Nagavci, e nënshkruar edhe nga 7 deputetë tjerë nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, në lidhje me përgatitjet për fillimin e vitit shkollor në kushte të pandemisë COVID-19 në Republikën e Kosovës.

Ndërsa, vetëm 29 deputet kanë marrë pjesë në votim të rezolutës nga Interpelanca e ministrit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Agim Veliu, sipas kërkesës së deputetes Fatmire Kollçaku, e nënshkruar edhe nga 9 deputetë tjerë nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, në lidhje me hyrjen dhe patrullimin e pjesëtarëve të uniformuar të Republikës së Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës, përkatësisht në fshatin Karaçevë të Komunës së Kamenicës.

Për këtë rezolutë sipas kryetarës së Kuvendit të Kosovës Vjosa Osmani duhet të përsëritet votimi.

Ndërsa, propozim-rezoluta nga raportimi i Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi, nuk ka dal në votim fare pasi Rexhep Selimi kryetar i grupit parlamentar të LVV-së tha se “rezoluta është në process të harmonizimit dhe në një seancë tjetër do ta vendosim për votim”.

Edhe pika për Projektligjin për masat e përkohshme për ta lehtësuar efektin e Pandemisë “COVID-19”, nuk ka arrit të votohet pasi vetëm 17 deputet kanë marr pjesë në votim.

Me 63 deputet për ka kaluar propozimi i GP të PDK-së për zëvendësimin e anëtarëve në Komisionin Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e pandemisë së virusit “COVID-19” nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Shkëmb Manaj nga LDK tha se e tërheqin propozimin e GP të LDK-së për zëvendësimin e anëtarit në Komisionin Ad-Hoc për përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Pavarur të Shërbimit Civil të Republikës së Kosovës.