Kalon Ligji i Rimëkëmbjes Ekonomike, qytetarët do mund ta tërheqin 10 përqindëshin nga Trusti

Kuvendi i Kosovës e ka miratuar në lexim të dytë Projektligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike – COVID-19 në seancën e jashtëzakonshme të mbajtur sot.

Ky projektligj ka arritur të miratohet me 72 vota për, asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim.

Votat qeverisë për ta kaluar këtë projektligj ia siguruan deputetët e PDK-së, të cilët propozuan katër amandamente shtesë.

Përmes këtij projektligj mes të tjerash parashihet tërheqja e 10 për qind të kursimeve të tyre pensionale në  Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës – Trust.

Ligji në fjalë ishte proceduar nga qeveria që nga vera, ndërkaq në lexim të parë ka arritur të miratohet pas gjashte tentimeve. 

Kurse, në lexim të dytë, më 11 nëntor nuk kishte arritur që të niste seanca për votimin e tij për shkak të mungesës së kuorumit.