Gjykimi ndaj Shaban Gogajt (28.09.2023), Foto: KALLXO.com

KALLXO dhe dy media të tjera fitojnë rastin në AIP ndaj Ankesës së avokatit të të dënuarit për vrasje, Shaban Gogaj

Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) e ka refuzuar si të pabazuar Ankesën e avokatit të të dënuarit Shaban Gogajt, Besnik Berisha, të ushtruar ndaj një lajmi të KALLXO.com dhe disa mediumeve të tjera – lidhur me rastin e shtyerjes së ekzekutimit të dënimit për Gogajn.

KALLXO.com më 06.12.2024 kishte publikuar një artikull në të cilin tregonte se si avokati Berisha kishte kërkuar që Gogaj të mos shkonte në vuajtje të dënimit për arsye shëndetësore dhe si i ishte refuzuar kjo Kërkesë nga Gjykata.

“Publikimi i arsyetimit të refuzimit të Kërkesës për shtyrje të dënimit përfshin pretendime të hedhura poshtë nga Gjykata, shërben për të informuar publikun dhe për të mbështetur llogaridhënien institucionale – duke përmbushur një qëllim legjitim sipas Ligjit për Mbrojtjen e Të Dhënave Personale.” – thuhet në Vendimin e AIP, më 24.03.2025.

Kujtojmë që Shaban Gogaj ishte dënuar nga Gjykata e Pejës për vrasje nga pakujdesia të Agonis Tetajt në vitin 2018, kurse Gjykata e Apelit ja kishte zbutur dënimin.

Besnik Berisha ishte ankuar në AIP duke pretenduar se mediumet si KALLXO.com, Betimi për Drejtësi dhe Gazeta Ekspress kishin publikuar të dhëna të ndjeshme të gjendjes shëndetësore, mendore të të dënuarit Gogaj.

KALLXO.com i ishte përgjigjur Ankesës së Besnik Berishës në AIP, me pretendimin se ka qenë interesi publik të dihet se për çfarë arsye është kërkuar shtyrja e ekzekutimit të dënimit dhe çfarë veprimi kishte marrë Gjykata. Përgjigjja në Ankesë e KALLXO.com ka elaboruar në tërësi procesin kronologjik për këtë rast, i cili ishte përcjellur me kontradikta të mëdha – duke përfshirë akterë nga sfera e Gjyqësorit, Prokurorisë dhe Odës së Avokatëve.

Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP), me refuzimin e Ankesës së Berishës, iu ka dhënë të drejtë mediave që kishin raportuar për këtë rast, duke u thirrur në parimin e ligjshmërisë dhe duke shtuar se nëse nuk do të publikoheshin rrethanat në të cilat është refuzuar Kërkesa publiku nuk do ta kuptonte pse është refuzuar e njëjta.

Sipas AIP ekzistojnë përjashtime – rastet kur përmenden të dhënat shëndetësore për interesin publik. Vendimi i AIP thotë se përjashtimi i publikimit të të dhënave shëndetësore në këtë rast specifik do të kishte krijuar pamje të cunguar të Vendimit gjyqësor – duke cenuar transparencën.

Tutje sipas Vendimit që iu jep të drejtë mediave në këtë rast thuhet se legjitimiteti se për çka janë përdorur të dhënat shëndetësore është ngushtë i lidhur me qëllimin e përdorimit. Gjithnjë sipas Vendimit të AIP qëllimet e përdoruesit duhet të jenë të qarta dhe legjitime në kohën e mbledhjes së të dhënave.

AIP pasi ka analizuar faktet dhe lajmet e publikuara në mediat të cilat janë thirrur në interesin publik dhe ka konstatuar se interesi publik në këtë rast ka filluar nga pretendimet e shkeljes së detyrave të Prokurorit të Shtetit, Vendimin e Kryeprokurorit të Shtetit për ndërrimin e Prokurorit të këtij rasti, si dhe implikimin e shumë institucioneve të tjera në këtë rast.

Vendimi i nxjerrë në AIP ka thënë se në këtë rast penal që përfshihet në vrasje ekziston interesi publik dhe mediat kanë të drejtë dhe detyrim të informojnë publikun për zhvillimet e rasteve të tilla – duke përfshirë këtu edhe Vendimet e Gjykatave.

Tutje AIP ka thënë se të dhënat shëndetësore së pari janë përdorur nga avokati i të dënuarit, Gogaj si bazë për të shtyrë ekzekutimin e dënimit – duke e bërë këtë informacion të rëndësishëm për procesin gjyqësor.

AIP i ka dhënë të drejtë mediave në publikimin e lajmeve lidhur me këtë Vendim – duke shtuar që nuk ka pasur publikim të dokumenteve apo Raporteve mjekësore të marra nga insitucionet shëndetësore, por janë kufizuar vetëm në atë që është thënë në Gjykatë dhe nuk kanë publikuar dokumente të padeklaruara publikisht.

Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) i ka dhënë peshë më shumë lirisë së shprehjes sesa të dhënave personale në këtë rast konkret – duke theksuar interesin publik dhe transparencën një çështje penale me implikime institucionale.

Gogaj nga Gjykata Themelore e Pejës për herën e dytë ishte gjetur fajtor për “vrasje nga pakujdesia” dhe “armëmbajtje pa leje” – duke i shqiptuar dënim unik prej 7 vjet e 6 muaj.

Gogaj për “vrasje nga pakujdesia” ishte dënuar 5 vjet, kurse për “armëmbajtje” ishte dënuar me dënim me burgim prej 3 vjetësh.

Apeli dënimin me burgim për “armëmbajtje” e kishte zbutur nga 3 vjet në dënim me burgim në 2 vjet burgim.

Gjykata Supreme nuk ka gjetur shkelje në Aktgjykimet e Apelit dhe Gjykatës së Pejës, në rastin ku Shaban Gogaj ishte dënuar për vrasje nga pakujdesia për Agonis Tetajn, që kishte ndodhur më 2018, në lokalin Gogaj AG.

Sipas Aktakuzës së Prokurorisë, në vitin 2018, në Kompaninë Gogaj AG, Shaban Gogaj mori një telefonatë nga një person tjetër, e cila në Aktakuzë është cilësuar si dëshmitare, nga e cila bisedë më pas shihet se është acaruar.

Tutje Aktakuza sqaron se Agonis Tetaj ishte larguar menjëherë në drejtim të rafteve të dyqanit përballë tij për gati 5 metra, ndërsa bashkë me të u larguan edhe dy dëshmitarët e rastit: A.H. dhe F.Z.

Sipas Dosjes së Prokurorisë, me të përfunduar bisedën Shaban Gogaj nga karriga e anës së majtë të banakut kaloi në karrigen tjetër e cila gjendej në mes të banakut dhe nga sirtari nxori revolen e tij të tipit Beretta e vendosi karikatorin, e mori në shenjë Agonis Tetajn dhe e qëlloi me plumb në kokë – duke e vrarë.

Viktima ishte punëtor në biznesin e të akuzuarit.

Raportimet e KALLXO, lidhur me rastin, i gjeni në këtë: LINK.