Burimi: Lojërat Olimpike Tokio 2020

KALLXO.com citohet nga faqja zyrtare e Lojërave Olimpike ‘Tokio 2020’, kur flet për të artën Distria Krasniqi

Platforma KALLXO.com është përdorur si referencë në dy raste në CV-në e tashmë kampiones olimpike të Kosovës, Distria Krasniqi, e të cilës i është referuar edhe faqja zyrtare e Lojërave Olimpike ‘Tokio 2020’.

Në CV-në e Krasniqit e cila është e publikuar në ueb faqen zyrtare të Lojërave Olimpike Tokio 2020, në pjesën ku flitet për interesat e përgjithshme të xhudistes, tregohet se si Krasniqi ka garuar bashkë me heroinat e tjera kosovare të xhudos Majlinda Kelmendi dhe Nora Gjakova.

Ajo është cituar të ketë thënë se “Është motivim i madh të jesh pjesë e këtij ekipi. Kur isha juniore kam ëndërruar të konkurroja në turne ku Majlinda dhe Nora garuan. Ishte një motivim shumë i madh. Ato më kanë ndihmuar shumë gjithmonë. (kallxo.com, 08 nëntor 2018; kosovotëopointzero.com, 16 mars 2017)”.

Gjithashtu KALLXO.com përdoret si referencë edhe tek pjesa e ambicies të xhudistes Krasniqi, e cila në një intervistë për KALLXO.com më 2018, kishte thënë se synon të fitojë një medalje në Lojërat Olimpike 2020 në Tokio.

Distria Krasniqi ka lindur më 10 dhjetor 1995 dhe vjen nga qyteti i Pejës.

Distria Krasniqi e ka fituar medaljen e artë në Lojërat Olimpike Tokio 2020, duke e mposhtur japonezen Funa Tonaki.

Kosova për herë të dytë po paraqitet në Lojërat Olimpike. Në Rio 2016, Majlinda Kelmendi fitoi të artën në kategorinë deri 52 kilogram. Tani medalje ka edhe Distria, po ashtu atë të artën.

Burimi: Lojërat Olimpike Tokio 2020

 

Burimi: Lojërat Olimpike Tokio 2020

 

VIDEO – Distria Krasniqi me sytë kah Lojërat Olimpike